Miliona për Teutën, zbulohet sa pagoi Kukësi për kartonin e Çyrbjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2018 | 10:02

Miliona për Teutën, zbulohet sa pagoi Kukësi për kartonin e Çyrbjes

Kukësi ka blerë dje kartonin e kapitenit të Teutës, Arbër Çyrbja. Ky i fundit ka qenë protagonist absolut sezonin që shkoi dhe u shtoi oreksin shumë skuadrave të Superiores. 24- vjeçari, që luan në rolin e mesfushorit të avancuar, pritet të jetë një përforcim cilësor për Kukësin, pasi ky klub ka edhe pritshmëri e larta për ndeshjet europiane.

Cyrbja

Çyrbja është aktivizuar plot 34 ndeshje sezonin e kaluar, ku ka shënuar edhe 7 gola, duke marrë ekipin për dore drejt rrugës së mbijetesës. Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, sqaroi ekskluzivisht për “Panorama Sport” edhe formulën e shitjes së kartonit te verilindorët. “Menaxheri i Çyrbes, Shkumbin Qorrmemeti, dhe Harris Fakiç sugjeruan që ai të transferohet te Kukësi për të luajtur në Champions, pasi është një mundësi mjaft e mirë për atë që të tregojë veten dhe të shitet në një klub në Europë. Dëshira e tij ishte të luajë në një klub jashtë vendit dhe ndaj ne e realizuam këtë operacion. Kukësi do të paguajë 50 mijë euro tani dhe 50 mijë të tjera kur të shitet pas ndeshjeve të Europës. Pra, në total Teuta përfiton 100 mijë euro nga ky transferim”, tha Hasanbelliu për gazetën.

cyrbja

NIMAGA DHE SAHITI Kukësi është klubi më aktiv shqiptar sa i përket merkatos, pasi ka afruar disa lojtarë shumë cilësorë si Haris Harba, Sebino Plaku, Shpehar, Melo, Zguro, Maloku, Qaqi, Maliqi, Limaj etj. Por sërish tekniku Pakult ka nevojë për përforcime të reja. Austriaku u shpreh për mediat austriake se është Gavazaj lojtari i tij i preferuar, por futbollisti i Kombëtares sonë ka oferta jashtë vendit dhe mundësia që ai t’i bashkohet Kukësit është e vogël. Gjithsesi verilindorët prej kohësh i kanë bërë ofertë Gavazajt, por ky i fundit ka bërë me dije se nuk dëshiron më të qëndrojë në Kategorinë Superiore.

kukesi

Skënderbeu është kthyer në supermarketin e merkatos së Kukësit, pasi “Panorama Sport” mëson se kërkon t’u rrëmbejë korçarëve Suad Sahitin, me dëshirën e këtyre të fundit. Mesfushori me tipare sulmuese pëlqehet nga drejtuesit dhe shihet si një element që mund të bëjë mirë në të ardhmen e afërt te Kukësi. Ai u afrua me bujë te bardhekuqtë, por nuk gjeti hapësirat e duhura. 23-vjeçari zhvilloi vetëm 514 minuta lojë gjatë gjysmës së dytë të sezonit me korçarët, pasi më parë ishte pjesë e Rabotniçkit në Maqedoni. Trajneri Pakult ka dhënë OK-in për futbollistin, i cili mund të ndihmojë Kukësin në Kupat e Europës apo dhe në kampionat nëse çdo gjë do shkojë mirë. Palët janë në bisedime, por akoma nuk ka ndonjë marrëveshje, pasi lojtari së pari duhet të flasë me klubin aktual. Por, Kukësi nuk ka në plan që të ndalet në merkato vetëm me emrat e mësipërm.

teuta

Ata do kërkojnë të përforcohen në çdo rol, dhe një mesfushor qendre që të dublojë Musollin është i nevojshëm. Drejtuesit kanë vendosur në “fokus” dhe Bakari Nimagën. Duke qenë se Skënderbeu nuk do të marrë pjesë në Kupat e Europës dhe pikërisht verilindorët zunë vendin e tyre në Champions Ligë, tashmë kërkojnë që të marrin lojtarët më cilësorë nga aty.

kukesi

Bakari Nimaga konsiderohet si një element që mund të bëjë diferencën, ndaj drejtuesit do të bëjnë çmos që ta afrojnë këtë verë. Mesfushori pëlqehet shumë nga stafi teknik, por nuk dihet nëse presidenti Safet Gjici do bjerë dakord me homologun e tij të Skënderbeut për ta transferuar 23- vjeçarin nga Mali. Më herët për Nimagën ka pasur edhe oferta nga jashtë vendit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"