Miliona mesazhe prekëse nga e gjithë bota, yjet e sportit i përulen Maradonës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2020 | 8:45

Miliona mesazhe prekëse nga e gjithë bota, yjet e sportit i përulen Maradonës

Në fushë ka bërë rivalë të tërbohen, por edhe jashtë fushave Diego Armando Maradona kishte miq e armiq, ndonëse pas ndarjes nga jeta e kësaj legjende, askush nuk ka dashur ta besojë.

mARADONA

Mesazhet për të nga bota e futbollit janë me miliona, ku ndoshta më prekësi ishte ai i rivalit Pele: “Është e trishtë të humbësh miqtë në këtë mënyrë. Gjithsesi, ta kesh të sigurt, një ditë do të luajmë futboll së bashku në qiell”, shprehet legjenda braziliane, ndërsa shumë të tjerë vijojnë si më poshtë, ku nuk mungonin as nga kampionët shqiptarë.

Erjon Bogdani: “Një Zot nuk vdes kurrë. Mirupafshim Diego”.

Armando Sadiku: “U prehsh në paqe legjendë”.

Karl-Hainc Rumenige: “Miku im Diego nuk jeton më. Unë dhe Bajerni i bashkohemi dhimbjes së familjarëve dhe të gjithë kombit argjentinas”.

Mishel Platini: “Jam i trishtuar. Kam nostalgji për atë epokë aq të bukur, me njerëz si Krojf, Di Stefano, Pushkash, ndonëse Diego është ai që shënoi jetën time. E shkuara jonë po largohet, por nuk do harrohet”.

Leo Mesi: “Një ditë e trishtë për argjentinasit dhe futbollin. Ai po na lë, por nuk do të zhduket, pasi Diego është i përjetshëm”.

Kristiano Ronaldo: “I them lamtumirë një miku dhe e gjithë bota përshëndet një tjetër gjeni të përjetshëm. Një mes më të mirëve të të gjitha kohërave. Një magjistar i pakrahasueshëm. U largua shumë shpejt, por na la një trashëgimi pa limite, një boshllëk që nuk do të mbushet kurrë. U prehsh në paqe fenomen. Nuk do të harrohesh kurrë”.

Majk Tajson: “Dora e Zotit na la. Në 1986-ën fituam Botërorët respektivë dhe nisëm të ngacmoheshim. Ai ishte një ndër heronjtë e mi, një mik imi. E respektoja dhe do t’ia ndjej shumë mungesën”.

Zlatan Ibrahimoviç: “Maradona nuk ka vdekur. Është i pavdekshëm. Zoti i dha botës futbollistin më të mirë të të gjitha kohërave. Do të jetojë përjetë”.

Pep Guardiola: “Disa vite më parë, në Argjentinë, ishte një banderolë ku shkruhej: ‘Nuk ka rëndësi çfarë ke bërë me jetën tënde, por çfarë ke bërë për tonat’. Ja pra, ky ishte Diego”.

Paolo Maldini: “Mirupafshim Diego i madh. Do të jesh gjithmonë një hero për mua”.

Adriano Galiani: “Talent i pafundmë, me Pelenë dhe Mesin janë më të mëdhenjtë në absolut. Për Napolin ishte oksigjeni i një qyteti me mijëra probleme”.

Andrea Pirlo: “Po na lë Zoti i futbollit… Faleminderit Diego”.

Franko Barezi: “Më qan zemra dhe ishte një nder që jam ndeshur me ty. Kishe një zemër të madhe dhe do të vazhdosh të dhurosh magji e emocione përgjithmonë”.

Inter FC: “Çdo epokë ka pasur një numër 10 të madh, ndërsa më pas lindi numri 10 i përjetshëm. Maradona nuk ishte vetëm një rival madhështor, por ishte më i madhi. Ciao Diego”.

Roberto Mançini: “Unë e kam parë Maradonën…”

Rud Gulit: “Do të jetosh gjithmonë në zemrat tona. Lojtari më i mirë që kam parë në fushë dhe kundër të cilit kam luajtur”.

Nejmar: “Do të jesh gjithmonë në kujtimet tona. Shumë falënderojnë futbollin, por në rastin tënd është futbolli që të falënderon ty”.

Andrij Shevçenko: “Askush nuk mund ta fshijë atë që ke bërë për të apasionuarit pas futbollit. Legjendë”.

Zhoze Murinjo: “Don Diego… Do të na mungosh mik”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"