Milinkoviç: Skuadra nuk është e plotë, na duhen edhe 2 përforcime. Alla? Do e preferoja në ekip

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2017 | 13:50

Milinkoviç: Skuadra nuk është e plotë, na duhen edhe 2 përforcime. Alla? Do e preferoja në ekip

Milinkoviç drejtoi dje për herë të parë skuadrën e Kukësit në takimin miqësor ndaj Dinamos, të fituar nga verilindorët me rezultatin 2-1, falë golave të Shtubinës dhe brazilianit Kale.

milinkovic

Në një prononcim për mediat, tekniku serb i vlerëson blerjet e fundit, por ndërkohë paralajmëron se merkatoja për kampionët nuk është mbyllur ende dhe se skuadra ka nevojë edhe për disa afrime për të qenë atje ku duhet.

Nevoja për përforcime

“Skuadra ende nuk është e plotë por shpresoj që deri në 15 gusht të kemi plotësuar të gjitha pozicionet pasi duam edhe një ose dy lojtarë, por të mirë, me kualitet në nivelin e Bakajt apo Aliev.

Kështu do të kemi mundësi zgjedhje pasi kur luan për Superkupën, Kupën dhe Kampionatin duhet të kesh të paktën 16-17 lojtarë të të njëjtit nivel. Na duhet një lojtar i mirë në mbrojtje, një tjetër në mesfushë dhe pastaj mendoj se do të jemi në rregull.”

Rikthimi i Albi Allës

“Të shohim se çfarë do të ndodhë në ditët e ardhshme Do ta preferoja në skuadër pasi e njeh mirë lojën e Kukësit. Jemi në kontakt me të dhe të shohim se çfarë do të ndodhë.”

Ecuria pa humbje e ish-trajnerit Gjoka

“Do të isha i kënaqur të humbisja 3 apo 4 ndeshje dhe të mbyllja kampionatin në vend të parë. Sigurisht që statistikat janë të rëndësishme, dhe kjo është një gjë e mirë, por njerëzit mbajnë mend vetëm titujt.

Megjithatë, nuk them se ecuria pa humbje nuk është e rëndësishme dhe e përgëzoj trajnerin e mëparshëm për këtë arritje të madhe, pasi është diçka vërtet e madhe kur luan gjithë sezonin pa humbur.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"