Milinkoviç: Nuk dua të ul vlerat e Skënderbeut, por ishim ne dobët. Nuk kemi mesfushor të djathtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2017 | 16:30

Milinkoviç: Nuk dua të ul vlerat e Skënderbeut, por ishim ne dobët. Nuk kemi mesfushor të djathtë

Trajneri i Kukësit, Mlladen Milinkoviç, pranoi se skuadra e tij nuk ishte në gjendje të mirë ndaj dhe u mposht përballë Skënderbeut. Në deklaratën e dhënë pas ndeshjes për “Supersport”, ai tha se e aktivizon Gurin si mesfushor të djathtë pasi nuk ka një lojtar tjetër më të mirë në atë pozicion.

Milinkovic

Humbja me Skënderbeun

“Kur luan në një ndeshje të tillë, duhet të jesh në gjendje shumë të mirë dhe ne nuk ishim. Vetëm në disa momente ishim mirë, kishim probleme në mesfushë, donim fitore por fatkeqësisht s’morën as barazimin. U bënë disa gabime dhe një nga këto na ndëshkoi me golin e dytë.

Në pjesën e parë u ndëshkuam nga një gabim në mbrojtje, Skënderbeu kishte një moment tjetër ku mund të shënonte, shyqyr barazuam, kishim mundësi për të shënuar prapë por nuk ia dolëm. Në pjesën e dytë nuk jemi të kënaqur sepse kishim probleme në përgjithësi.”

Vështirësia për të gjetur golin

“Në këto ndeshje nuk ke shumë mundësi, e thamë edhe para ndeshjes që një rast të gjesh duhet ta bësh gol. Në pjesën e parë kishim rast të mirë, nuk shënuam, dhe kur nuk shënon është e natyrshme që do pësosh.”

Kur mund ta ndalin Skënderbeun, kur nuk po ia arrijnë as tani që ka shumë ndeshje prej Europës?

“E kam thënë dhe më parë që Skënderbeu mund të ketë shumë ndeshje, por ndonjëherë kalendari i ngjeshur të ndihmon më shumë për t’u lidhur lojtarët me njëri-tjetrin. Nuk dua të ul vlerën e fitores së tyre, por sot ishim ne dobët. Nëqoftëse ne do ishim paraqitur më mirë dhe siç ishim përgatitur, jemi të sigurt që rezultati do ishte ndryshe.”

Nëse do ndryshonte vendosjen e ekipit nëse do i jepej sërish mundësia

“Nuk do ndryshonim se fatkeqësisht vinte Bakaj nga një dëmtim dhe nuk nxori dot gjithë lojën. Futëm Zeqirin në pjesën e dytë për të kontrolluar më shumë mesfushën, por prapë s’ia arritëm qëllimit.”

Aktivizimi i Gurit si mesfushor i djathtë

“Unë e di që Guri është qendërsulmues, por s’kemi një mesfushor të krahut të djathtë që të jetë në formë më të mirë. Guri tregoi në disa ndeshje dhe në Europë që mund të ndihmojë edhe në krahun e djathtë.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"