Milinkoviç: Me fat që u vendos nga një gol, Abazaj në stol s’ishte dënim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2017 | 16:35

Milinkoviç: Me fat që u vendos nga një gol, Abazaj në stol s’ishte dënim

Trajneri i Luftëtarit, Mlladen Milinkoviç, e ka cilësuar skuadrën e tij me fat që arriti të fitonte ndaj Tiranës dhe që ndeshja u vendos nga një gol. Në “Gol pas Goli’ ai pranoi se ekipi kishte vuajtur shumë për të marrë një fitore në shtëpi ku ka shumë trysni, ndërsa konfirmoi se ulja në stol e Kristal Abazajt nuk kishte qenë një dënim për lojtarin.

milinkovic

Për fitoren ndaj Tiranës

“Jam dakord që ishte një ndeshje shumë interesante, kishim momentet tona të mira dhe Tirana të sajat. Mendoj se ishte e mirë që fituam për një gol, jam i lumtur që lojtarët besuan deri në fund që mund të merrnim tre pikët se ishte situatë e vështirë para ndeshjes. Nuk kishim fituar dy të fundit në shtëpi dhe ishim nën trysni. Kjo ndeshje ishte shumë, shumë e rëndësishme sepse tani mendoj se jemi vetëm një hap larg objektivit tonë për të qëndruar në Superiore”.

Për vështirësinë në këtë sfidë

“Tirana është një skuadër shumë e mirë edhe pse nuk fitonin që prej fazës së dytë, më duket se të fundit e kanë kundër nesh. Por sot treguan se janë një skuadër shumë e fortë, kanë lojtarë shumë të mirë me teknikë të shkëlqyer. Në pjesën e parë zhvilluan 10 minuta ku ishin shumë të rrezikshëm dhe kontrolluan lojën. Mendoj se pas golit të parë, luajtëm dhe krijuam shumë më mirë raste, goditëm shtyllën me Bregun, kishim një rast tjetër me rast Rexhinaldon. Por pasi mbetëm me 10 lojtarë u bë shumë e vështirë”.

Për ndryshimin në skemën e skuadrës

“Ne kishim një problem se siç e thashë, të gjithë lojtarët nuk ishin në formën më të mirë. Ndaj e provuam me këtë rreshtim në pjesën e parë, e pamë që kishim probleme dhe ndryshuam. Por 15 minutat e fundit ishin shumë të vështira, ishim nën presion gjithë kohën, jemi me fat që Ruçi bëri dy pritje të shkëlqyera.

Për kartonin e kuq të Zguros

“I fola në pushim të ndeshjes, të gjithëve, të ishim të kujdesshëm, jo vetëm Zguro. Ne kishim në pjesën e parë tre lojtarë me karton të verdhë. Jam i shqetësuar se bëri faull 80 metra larg portës tonë. E di që ai donte të kapte topin por ishte në vonesë. Por na hapi probleme. Problemi më i madh është që nuk do të luajë në ndeshjen tjetër. Desha të luaja me dy qendërsulmues, desha që Lamçe ose Bregu të luanin jashtë zonës, për të marrë topin dhe Rexhinaldo të kishte më shumë hapësira. Deshëm të luanim topin për Rexhinaldon, por 2-3 herë na kundërsulmuan rrezikshëm. Kur luan ndaj një ekipi si Tirana është gjithmonë e vështirë të bësh atë që do”.

Për uljen e Abazajt në stol

“Si fillim fola me të gjatë javës, ashtu edhe sot. I shpjegova se tani ka marrë thirrjen nga kombëtarja, e  mori se ishte në gjendje të mirë dhe luante mirë. Ai ishte gati dy javë pak i dëmtuar, i shpjegova që nuk është ndëshkim, por nuk është gati për të luajtur 90 minuta. I shpjegova dhe pse vendosa ta kisha atë më mirë në 30 minutat e fundit sesa ta nxirrja pas 45 minutash. Kjo është e vetmja arsye, ai është një lojtar i ri dhe shumë i mirë. E di që e ka kuptuar se nuk ishte dënim, por e rëndësishme është që ndihmoi ekipin të merrte tri pikët”.

Për mungesat e vazhdueshme në radhët e skuadrës

“Çdo javë kemi një mungesë, sot ishim pa Ramadanin e Rapon, elementë të rëndësishëm. Kemi një grup me 18 lojtarë ku kushdo mund të zëvendësohet. Për ne është e rëndësishme që kemi 2-3 lojtarë që luajnë në çdo pozicion. Sigurisht që jemi më të rrezikshëm me 11-shen tonë më të mirë. Por sot pamë edhe Tiranën të cilës i mungonin shumë lojtarë por luajtën shumë mirë. Grupi para individit? Po, kjo është dhe jam i lumtur që e kanë kuptuar të gjithë në skuadër”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"