Milinkoviç: Luftëtari nuk shkon me duart lart në Elbasan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2016 | 11:50

Milinkoviç: Luftëtari nuk shkon me duart lart në Elbasan

Për Mladen Milinkoviç, trajnerin serb të Luftëtarit, sot nis aventura e parë në stolin e bluzinjve. Përballja e sotme mund të konsiderohet si dueli i dy trajnerëve debutues në Superiore, Milinkoviç-Sormani.

Trajneri serb kërkon ta nisë me këmbën e duhur eksperiencën te Luftëtari. Edhe pse ka pak njohje për ekipet e Superiores, Milinkoviç qëndron me “këmbë në tokë”, si dhe jep përshtypjen e tij për kundërshtarin e sotëm.

luftetari milinkovic

“Partizani është e vetmja skuadër që kam krijuar një ide rreth potencialit, kjo falë ndeshjeve që ka luajtur në Europë. E respektojmë, por nuk shkojmë për t’u dorëzuar me duart lart. Ndeshja e parë në transfertë ndaj Partizanit nuk na penalizion. Jo më kot gjatë fazës përgatitore kemi zhvilluar disa takime jashtë fushe.

Qëllimi i këtyre takimeve ka qenë njohja e futbollistëve me terrene jashtë fushe. Do të luajmë katër ndeshje jashtë fushe dhe objektivi ynë është që të marrim më të mirën e mundshme.

Në ekip, ditët e fundit janë afruar lojtarë të rinj si Bojom e Montera. Edhe pse kanë luajtur 45 minuta në miqësoren me Bylisin, të dy kanë treguar vlera dhe me kalimin e javëve të para do të kapin formën e tyre, pasi posedojnë cilësi të mira”, tha fillimisht trajneri i Luftëtarit në konferencën për shtyp, një ditë para takimit me të kuqtë.

luftetari formacioni

Me seancën stërvitore të paradites, gjirokastritët kanë mbyllur javën e përgatitjeve anti-Partizan, duke sfiduar edhe reshjet e dendura të shiut. Luftëtari në prezencën e parë do të vuajë mungesat e dy titullarëve, mbrojtësit Lejdi Liçaj dhe mesfushorit Eduart Rroca, që janë të lënduar. Sakaq edhe senegalezi Faje dhe sulmuesi Reginaldo nuk i janë bashkuar ekipit.

“Nuk mund të deklaroj formacionin një ditë para, por vetëm një orë para, ashtu siç e kërkon rregullorja. Me plot gojën mund të them se Liçaj dhe Rroca nuk do të jenë as pjesë e 18- shes”, përfundoi trajneri Milinkoviç.

Nisur nga takimi i fundit miqësor, ku Luftëtari nuk shkoi më shumë se barazimi 2-2 me Bylisin, trajneri Milinkoviç duket se do t’u besojë po atyre lojtarëve.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"