Milinkoviç: Jemi të qetë pas zhbllokimit të sulmuesve, në çdo ndeshje duam tri pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2017 | 10:56

Milinkoviç: Jemi të qetë pas zhbllokimit të sulmuesve, në çdo ndeshje duam tri pikë

Pas humbjes në shtëpi me Skënderbeun, presidenti Gjici kërkoi tri fitore radhazi nga ekipi, në mënyrë që të kompensojnë atë gabim që bënë në “Zeqir Ymeri”. Provën e parë e kaluan me sukses, pasi fituan 2-0 ndaj Lushnjës në transfertë, ndërsa sot presin në shtëpi Teutën.

milinkovic

Trajneri i Kukësit, Mladen Milinkoviç, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, shprehet i shqetësuar për faktin se skuadra që drejton është mbërthyer nga dëmtimet. Por pozitiv shikohet zhbllokimi i dy sulmuesve kryesorë, Guri dhe Alijev, që shënuan ndaj Lushnjës. Kjo i jep shpresë trajnerit që sulmi po vjen drejt funksionimit të plotë.

Pas suksesit me Lushnjën, prisni Teutën, një kundërshtar më i fortë në letër. Si e shikon Milinkoviç këtë takim?

Teuta ka një ekip shumë të mirë, por Kukësi hyn në këtë ndeshje si në çdo takim tjetër vetëm për tri pikët. Kështu që shpresojmë që ecuria e kapur ndaj Lushnjës të vijojë pa ndërprerje.

Teuta vjen nga një humbje. Cili është vlerësimi i Milinkoviçit për kundërshtarin që ka pasur oshilacione në rezultate?

Teuta humbi, por zhvilloi një ndeshje shumë të mirë, sidomos në pjesën e parë. Është një ekip shumë i mirë, i vendosur mirë në fushë dhe me lojtarë cilësorë.

Kukësi nuk ka qenë i plotë në asnjë takim për këtë sezon. Kjo është rastësi apo problemet e dëmtimeve të shpeshta kanë lidhje edhe me fushën me bar sintetik, ku stërviteni çdo ditë?

Sigurisht që na shqetësojnë dëmtimet dhe fakti qe nuk mund të aktivizohemi në 2-3 ndeshje me të njëjtin formacion. Shpresoj që situata të përmirësohet dhe të mos vuajmë më si në start.

Sulmuesit u zhbllokuan, jeni tani më i qetë për Alijev dhe Gurin dhe a prisni që të vazhdojnë me gola?

Jemi më të qetë, pasi të dy sulmuesit u zhbllokuan. U duheshin golat si Gurit dhe Alijevit. Ne presim shumë nga ata, të cilët duhet të vazhdojnë duke shënuar gola të tjerë.

Presidenti ju ka kërkuar 6 pikë në dy ndeshjet e radhës, mendoni se do t’i arrini?

Ne në çdo ndeshje kërkojmë trepikëshin dhe jo vetëm në dy ndeshjet e radhës. Kjo është rruga e vetme, sepse vetëm me fitore do të mund të qëndrojmë në vendet e para në klasifikim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"