Milinkoviç: Edhe besimi i presidentit ka një kufij, duhen dy fitore në ndeshjet e radhës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2017 | 12:53

Milinkoviç: Edhe besimi i presidentit ka një kufij, duhen dy fitore në ndeshjet e radhës

Pas një javë shumë të vështirë, humbjes me Partizanin, trajneri Milinkoviç doli dje para gazetarëve në një konferencë për shtyp dhe sqaroi gjithë situatën. Tekniku serb tha se kjo humbje e dëmtoi shumë Kukësin, por ai ka besim te skuadra dhe stafi se kthesa do të vijë dhe Kukësi do e rimarrë veten.

Milinkovic

Humbja me Partizani solli “furtunë” në klub. Çfarë prisni të ndryshojë tani, pas masave që u morën?

Sigurisht që kjo humbje, jo vetëm që nuk na erdhi mirë, por na dëmtoi mund të themi. Nuk e prisnim të kishim një rezultat të tillë. Bëmë analizën dhe veçuam gabimet tona, nga erdhi humbja. Duam ta harrojmë këtë humbje, por të mos harrojmë gabimet e bëra në këtë ndeshje, në mënyrë që në Laç të marrim fitoren.

Pas ndeshjes me Partizanin, deklarata para lojtarëve ka qenë emocionale apo e menduar mirë?

Unë, personalisht, nuk kam folur me lojtarët pas ndeshjes dhe të kem dhënë ndonjë deklaratë. Në atë që thashë para kamerave, thashë se isha përgjegjës dhe do të flas me presidentin. Deshëm të merrnim një vendim për të mirën e Kukësit, nuk shoh vetëm anën time. Presidenti beson tek unë, gjithashtu përgjegjës për një ekip kur nuk ecën mirë, është trajneri dhe unë nuk doja të përfitoja nga ai besim.

Pse mendoni se ka kaq shumë besim Gjici te ju?

Unë kam biseduar me të dhe e njohim njeri-tjetrin, por nuk jam aq naiv, e di se po nuk ecën rezultatet, nuk është më çështje besimi. Po nuk pati rezultate, vjen një moment dhe nuk mund të vazhdohet më. Kjo nuk ndodh vetëm te Kukësi dhe në Shqipëri, ndodh në klubet më të mëdha dhe kjo nuk është se nuk janë trajnerë të mirë. Kjo është puna e trajnerit, ka presion.

Nëse nuk do kisha besim tek ekipi, atëherë do ia thosha presidentit dhe do ikja. Nuk është për t’u justifikuar, por po ndërtojmë raste dhe nuk po i shfrytëzojmë. Edhe me Partizanin na ndodhi kjo. Patëm dy raste në 53 sekonda, por nuk i shfrytëzuam dhe u penalizuam. Nëse do kishim shënuar dhe do e kishim përmbysur rezultatin, do flisnim ndryshe. Por ky është futbolli.

4 ndeshje pa fitore, a keni ndonjë formulë për ta kaluar këtë gjendje?

Në dy ndeshjet e ardhshme do kërkojmë gjashtë pikët. Nëse ia dalim, atëherë jemi brenda objektivave. Kemi punuar gjatë kësaj jave nga ana psikologjike, që të mos e humbasin besimin te vetvetja dhe tek ekipi. Edhe ata e kanë kuptuar gjendjen ku jemi dhe besoj se do rikthehemi te fitorja me Laçin.

Pse Kukësi nuk ka rezultatet e kërkuara deri më tani, ku keni gabuar?

Po të shohim 11 javët e kaluara, kemi pësuar shumë gola. Për një ekip pretendent janë shumë. Kur pëson shumë gola, do të thotë se nuk shkon diçka në mbrojtje. Kemi bërë një analizë të hollësishme për golat e pësuar deri më tani. Po i marrim lehtë golat. Edhe në mesfushë kemi pasur probleme, nuk kemi qenë agresivë. E dyta është se humbasim shumë raste të pastra shënimi. Nga ndeshja me Flamurtarin, kemi humbur dy raste, me Kamzën kishim 2 raste para se të bënim golin e parë.

Si është raporti juaj me Allën dhe Alijevin dhe a jeni të kënaqur me rendimentin e tyre?

Nëse një lojtar nuk luan mirë, ka përgjegjësi edhe trajneri. Të gjithë e dinë vlerën e Allës dhe çfarë lojtari është. Mbase tani nuk është në formën e duhur, por duhet që të gjithë ta ndihmojmë që të vijë në formën maksimale. Alijev është lojtar i mirë, të jeni të sigurt që është shumë më i mirë nga sa ka treguar deri tani.

Kam thënë se disa lojtarë vijnë nga shtet tjetër dhe disa ambientohen shpejt, disa jo. Një tjetër gjë është që flet vetëm turqisht dhe gjuhën mëmë. Komunikimi është një problem. Puna e tij është të japë maksimumin, të na ndihmojë dhe ta ndihmojmë për më të mirën, jo vetëm ai, por çdo lojtar.

A do ketë ndryshime në formacion dhe çfarë niveli vështirësie prisni në ndeshjen me Laçin, ku vitet e fundit Kukësi s’ka fituar?

Ne e kemi ndjekur në disa ndeshje Laçin, ata kanë një ecuri të mirë sivjet. Kanë një fushë të fortë dhe siç thashë në fillim, nuk do të jetë e lehtë. Di të marrë rezultate, pavarësisht se si luan. Kanë një lojtar shumë të mirë dhe të rrezikshëm. Ne nuk kemi mundësi të tjera, veç fitores. Duhet ta fitojmë me çdo kusht. Në lidhje me formacionin, do të shihet në momentin e ndeshjes.

Do e keni grupin të plotë, gjë të cilën e keni dashur që në fillim…

Besoj se do jemi të gjithë gati. U rikthye edhe Koliçi në stërvitje.

Largimi i Zeqirit, sa ju ka prishur planet. Ç’mund të na thoni?

Për mua do ishte më mirë po të qëndronte Zeqiri. Dy ditë para ndeshjes me Partizanin, erdhi dhe na tha se nuk do të jetë më pjesë e Kukësit dhe i thamë se duhet të fliste me presidentin. Është një mungesë, por jemi fokusuar te puna për ndeshjen me Laçin.

A e tregoi Zeqiri arsyen e largimit?

Jo, biseduam. Unë nuk tregoj arsyet. Unë i thashë të qëndronte pushim dhe të mendohej. Është një lojtar i mirë dhe i uroj suksese.

A ju sjell trysni objektivi për gjashtë pikë në dy ndeshje?

Si me trysni, si pa trysni, duhet fituar, ndryshe dalim jashtë objektivave. Duke ecur javë pas jave, mundësitë e rikuperimit zvogëlohen. Ka kohë, ka ndeshje, ka pikë, deri në fund të kampionatit. Ne duam tani të fitojmë tani edhe për anën psikologjike, por edhe për të ngushtuar diferencën.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"