Milinkoviç: Alijevin mund ta humbnim nëse e fusja titullar, më e thjeshtë loja e bukur te Luftëtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2017 | 18:30

Milinkoviç: Alijevin mund ta humbnim nëse e fusja titullar, më e thjeshtë loja e bukur te Luftëtari

Trajneri i Kukësit, Mlladen Milinkoviç, është i kënaqur me fitoren minimale ndaj Kamzës duke qenë se skuadra e tij vinte e rënduar psikologjikisht pas humbjes në Superkupë. Në deklaratën e dhënë pas ndeshjes për “Supersport”, ai foli edhe për mosaktivizimin e Alijevit që nga fillimi, si dhe për pritshmëritë e një loje të bukur siç ka bërë me Luftëtarin.

milinkovic

Për fitoren

“Jam i kënaqur sepse fituam pas një rezultati të keq në Superkupë dhe natyrisht psikologjia nuk ishte në nivelin e duhur. Ndeshjet e para të kampionateve janë gjithnjë të vështira. E dinim që Kamza ka bërë merkato të mirë, ka lojtarë me eksperiencë dhe donte të tregonte që është ekip që duhet marrë parasysh.

Ne kishim disavantazh nga humbja në Superkupë që na rëndoi psikologjikisht, prandaj jam i kënaqur, por duhet të korrigjojmë jashtëzakonisht shumë gjëra në vazhdim. Më e rëndësishmja ishte të fitonim, fituam, dhe dua t’u jap urime çunave.”

Për mosaktivizimin e Alijevit që nga fillimi

“Tani çfarëdo që të themi flasim kot. Dje fola me Alijev dhe e sqarova që nuk duhet ta djegim kaq shpejt si lojtar. Bëri 45 minuta në Superkupë, pavarësisht që nuk e njeh gjuhën ai e kuptoi nga kritikat e shtypit që nuk u paraqit mirë, dhe unë nuk doja ta fusja që në fillim sepse ishte thikë me dy presa duke qenë se mund ta humbnim fare si lojtar. E sqaruam, e kuptoi dhe jam shumë i kënaqur që reagoi siç luajti në pjesën e dytë.”

Për skemën me një sulmues

“Besoj se jemi më të rrezikshëm me një sulmues, sepse kemi lojtarë të tille që duhet të kemi më shumë në mesfushë. Për 55 minuta deri ne ndërrimin e Zeqirit kishim 1 sulmues, futëm 2 për të marrë rezultatin, më pas kishim probleme sepse i dhamë terren kundërshtarit dhe nuk dua të luajmë kështu siç luajtëm pas shënimit të golit.”

Për pritshmërinë e një loje të bukur si te Luftëtari

“Patjetër, e di ku kam ardhur dhe çfarë pret tifozeria nga unë. Nuk dua të gjej justifikime, por te Luftëtari e nisa punën më 1 korrik dhe Luftëtari luajti bukur vetëm pas javës së 7. Këtë e pamë nga fundi i tetorit vjet, pra pas 3-4 muajve, kurse këtu s’kam kaq muaj në dispozicion.

Gjithashtu është më e thjeshtë të luash bukur kur s’ke objektiva të lartë. U thashë lojtarëve pas ndeshjes që të çlirohen dhe të luajnë siç dinë. Futbollistët e mi treguan që mund të luajnë edhe bukur si në fund. Në vazhdim besoj do luajmë më bukur pasi kjo ishte vetëm ndeshja e dytë.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"