Mile ndëshkon ish-ekipin, Shkumbini fitore statistikore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2013 | 11:09

Mile ndëshkon ish-ekipin, Shkumbini fitore statistikore

Shkumbini-Tomori 2-1SHKUMBINI-TOMORI 2-1
GOLAT: Mile 18′ (11-m), 20′ / Avdo 79′
SHKUMBINI: Ajazi, Salliu, Vogli (Ramazani 58′), Xhyra, Musta, Isaji, Magani, Lluca, Sekseni (Nexha 73′), Mile (Kafazi 59′), Branica. Trajner: A.Ballhysa
TOMORI: Shtrepi, Bitri, Karamani, Berberi (Avdo 64′), Olewatosin, Myzyri (Bejko 46′), Ouey, Sogun, Isufi, Paja, Mitraj (Shinko 65′). Trajner: M.Muxhaj
KARTONË TË VERDHË: Isaji 68′ / Shtrepi 17′
VËZHGUES: Besnik Kaimi
DELEGAT: Prek Pjetrushi
GJYQTARET: S.Greca, D.Korreshi, Gj.Bori

MINUTAT
18′ Branica pengohet brenda zonës nga portieri beratas Shtrepi dhe kryesori Greca akordon një 11-metërsh për peqinasit. Ekzekutimin nga pika e bardhë e merr përsipër Mile, i cili e shndërron në gol dhe 1-0.
20′ Sulmuesi Mile shkëputet bukur në hyrje të zonës beratase, shmang edhe portierin Shtrepi, gjuan fort duke e dyfishuar rezultatin dhe 2-0.
79′ Xhejms Sogun, nga e majta e sulmit beratas, jep një asist në zonë për Avdon, i cili nuk e ka të vështirë të shënojë në portën peqinas duke e ngushtuar rezultatin, 2-1.

Shkumbini ka fituar 2-1 përballë Tomorit, në një sfidë ku të dyja ekipet nuk kanë pasur asnjë objektiv, pasi e kanë prerë biletën për në të Parën. Dopieta e shënuar nga sulmuesi Mile, i cili ka ndëshkuar ishskuadrën e tij Tomorin, u ka mjaftuar peqinasve për ta mbyllur me fitore ndeshjen e fundit të luajtur në fushën e vet në Superiore. Miqtë, e drejtuar nga trajneri Muxhaj, kanë luajtur më mirë në pjesën e dytë, gjatë së cilës arritën t’i ngushtonin shifrat me anë të Avdos.
Takimi – Ndeshja ka nisur e qetë, ndërsa skuadrat në minutat e para nuk arrijnë të dalin në lojën e tyre. Peqinasit kërkojnë të marrin në dorë frenat e lojës dhe shikojnë më shumë nga porta e Tomorit. Në minutën e 18-të i riu Branica pengohet në mënyrë të parregullt në zonën beratase dhe fiton një 11- metërsh, të cilin e shndërron në gol sulmuesi Mile. Pa kaluar as dy minuta sërish Mile bëhet protagonistë, teksa e dyfishon rezultatin. Golat e shënuar u japin siguri peqinasve, të cilët e kanë më të lehtë të administrojnë lojën. Beratasit gjejnë forca për të sulmuar, madje mund të shënonin në të 30-ën minutë, kur afrikani Sogun, i vetëm përballë Ajazit godet shtyllën pingule. Ndërkaq, fraksioni i dytë nis më mirë për miqtë, të cilët kërkojnë të ndryshojnë rezultatin. Janë disa zbritje të shpejta, me protagonistë futbollistët afrikanë që aktivizohen te Tomori, megjithatë vija e sulmit beratas nuk ka qartësinë e duhur. Rastet e tyre do të shpërbleheshin në të 79-ën minutë, kur Avdo arrin të gjejë rrugën e rrjetës. Me diferencën e një goli peqinasit nuk e kanë të sigurt fitoren, ndaj dhe përpiqen që të realizojnë edhe një gol tjetër. Pavarësisht rasteve, kjo pjesë nuk do të dhuronte më gola. Kështu Shkumbini e mbyll me fitore përpara tifozëve, ndaj Tomorit.

MË I MIRI
Sulmuesi Mile dhe portieri Ajazi ishin dy futbollistët më të mirë në fushën e blertë. Sulmuesi rezultoi vendimtar, pasi u dha fitoren peqinasve me dy golat e shënuar ndaj ishskuadrës së tij, kurse Ajazi bëri disa ndërhyrje vendimtare që e shpëtuan portën nga gola të sigurt.

MË PAK AKTIVI
Mesfushori Myzyri dhe sulmuesi Mitraj për miqtë ishin lojtarët më pak aktivë në fushën e lojës. Të dy futbollistët, edhe për shkak të moshës së re, nuk bënë një paraqitje pozitive. Kësisoj trajneri i Tomorit, Madrid Muxhaj, i zëvendësoi ata në pjesën e dytë të takimit.

Dervishi
Klodian Dervishi, numri dy i pankinës peqinase, u shpreh: “Ishte një ndeshje ku të dyja skuadrat nuk kishin asnjë objektiv. Megjithatë, ne ishim përgatitur për të zhvilluar një ndeshje korrekte do ta respektojmë deri në fund kampionatin. Kemi aktivizuar thuajse të gjithë lojtarët e stolit, të cilët deri diku e kanë justifikuar veten me paraqitjen e tyre. Gjatë pjesës së parë ishim më mirë se kundërshtari, ndërsa në të dytën loja jonë pësoi rënie, por gjithsesi e ruajtëm fitoren”
Fatmir Ahmeti

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"