“Milanit nuk i gjuan dot në portë”, analiza e legjendës Xhuzepe Bergomi: Xheko më i fortë se Lukaku

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2021 | 16:32

“Milanit nuk i gjuan dot në portë”, analiza e legjendës Xhuzepe Bergomi: Xheko më i fortë se Lukaku

Xhuzepe Bergomi, ish-mbrojtësi legjendar i Interit, është i lumtur që Milano është rikthyer protagoniste absolute në Serinë A. Milani dhe Interi aktualisht kanë secila nga 13 pikë dhe do të ishin në krye, nëse nuk do të ishte për Napolin që vazhdon me pikë të plota.

Giuseppe-Bergomi-Inter

Gjithsesi, siguria është një dhe e vetme: dy formacionet e Milanos sivjet do të kenë një sprint kokë më kokë për titullin. Kuqezinjtë kanë si pikë të fortë grupin dhe një mbrojtje hermetike, ndërsa zikaltrit edhe pse kanë humbur Romelu Lukakun në sulm, vazhdojnë të shënojnë me breshëri dhe madje duken edhe më të fortë me Edin Xhekon, i cili i ka shtuar ekipit më shumë superioritet në lojën në ajër.

MILANI – “Nuk dua të hyj në detaje duke përmendur mungesat si Zlatan Ibrahimoviç, Olivie Zhiru apo edhe Frenk Kesi, pasi të gjitha skuadrat deri tani nuk e kanë pasur grupin të plotë, ndaj çështja e mungesave është një justifikim që nuk duhet llogaritur, aq më tepër për një skuadër që synon titullin. Prandaj, pas kësaj parashtese mund të them se ky Milan jo vetëm që di të menaxhojë situatat e pallogaritura, por mbi të gjitha di të administrojë lojën në varësi të kundërshtarit, e cila është edhe gjëja më e rëndësishme.

bergomii

Edhe kundër Venecias, që mund të dukej një ndeshje e lehtë, sipas meje, Milani bëri ndeshjen perfekte. Ndaj këtyre skuadrave kryesorja është të mos pësosh, pasi më pas bëhet e vështirë të rikuperosh ndeshjen. Dhe këtij Milani, jo vetëm që nuk i shënon dot lehtësisht gol, por është e vështirë që edhe të tentosh t’i gjuash në portë. Më pas, kur vendosin që të nisen në kundërsulm dhe të rrisin xhirot në motor dinë sesi të bëjnë keq. Fazën difensive Pioli e ka për notën 10 deri tani”.

INTERI – “Ndërkohë, edhe Interi që thonë se humbi shumë me Lukakun, unë e mendoj ndryshe. Në këto ndeshje të para kam parë një supremaci ajrore të zikaltërve, e cila do të jetë arma më shumë sivjet, aq më tepër në ndeshjet e komplikuara, kur ekipet mbyllen mirë në mbrojtje. Mjafton të shohësh me Fiorentinën kërcimet e Xhekos, nga i cili shënoi një gol, por edhe spondat që bën për shokët e ekipi. Këtu shtoj edhe disa episode në ndeshjen ndaj Realit, ku boshnjaku me kërcim arriti që të fitojë edhe kundrejt Kurtuasë që kërcente me duar.

Dhe akoma më tepër, Xheko po shënon me të njëjtën mesatare sa Lukaku, për të mos thënë se belgu është shumë më i dobët se Edin në lojën në ajër. Pastaj, nëse shohim edhe ambientimin e shpejtë të Çalhanoglusë, por edhe risinë spektakolare Dimarko, të cilët janë shumë të aftë me këmbë dhe të saktë në goditjet standarde e nga distanca, mendoj se ky Inter sivjet është më i kompletuar, të paktën deri tani, sesa ai i sezonit të kaluar”, përfundoi analizën e milanezëve, Xhuzepe Bergomi.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"