Milanit i mungon bomberi, asnjë sulmues në dopio shifër pas 32 vitesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2018 | 17:19

Milanit i mungon bomberi, asnjë sulmues në dopio shifër pas 32 vitesh

Edhe pse nga fundi i kampionatit të siv jetshëm mungojnë ende pesë javë, fakt është që Milani konfirmohet një skuadër pa një goleador të vërtetë. Nëse Juventusi mund të mbështetet te Paulo Dibala apo edhe Gonzalo Higuain, ndërsa ekipe si Napoli te Dris Mertens e Lorenco Insinje; Interi te Mauro Ikardi apo edhe Lacio e Roma respektivisht te Çiro Imobile e Edin Xheko, lojtarë që të gjithë në dopio shifër, Milani vërtet i ka golat e shpërndarë, por një bomber që të tërheqë përpara skuadrën dhe të shënojë më shpesh, nuk ekziston.

milan

Vërtet skuadra e drejtuar fillimisht nga Vinçenco Montela dhe më pas e pasuar nga Xhenaro Gatuzo ka dërguar 14 lojtarë të ndryshëm në gol, por e vërteta është që asnjë prej tyre, pas 33 javëve kampionat, nuk është në dopio shifër realizimesh (10 gola e sipër). Për momentin, Patrik Kutrone është goleadori më i mirë i skuadrës, me 7 realizime, ndërsa ndiqet nga Xhakomo Bonaventura me 6, ashtu sikurse edhe Suso, por me këtë të fundit që ka festuar vetëm një herë në pesë muajt e fundit.

Lista më pas vazhdon edhe me emra si Kaliniç në kuotën 5 gola, apo akoma më keq, me 2 realizimet e Andre Silvës dhe 3 të Hakan Çalhanoglusë, por për të parë një situatë të tillë, pra, të një Milani pa një sulmues goleador, duhet të kthehemi jo pak, por 32 vite më parë. Hera e fundit që “Djalli” e ka mbyllur një sezon të Serisë A pa dërguar një lojtar në dopio shifër, ka qenë në vitin futbollistik 1985-1986, me Mark Hatelej, i cili e mbylli kampionatin me 8 gola. Ky skenar jo shumë pozitiv ka rrezik që të përsëritet edhe sivjet, nëse Patrik Kutrone apo edhe Bonaventura dhe Suso nuk zgjohen në ndeshjet e fundit.

SULMI I MILANIT NË SKANER

Patrik Kutrone 7 gola
Xhakomo Bonaventura 6 gola
Suso 6 gola
Nikola Kaliniç 5 gola
Frenk Kesi 4 gola
Hakan Çalhanoglu 3 gola
Andre Silva 2 gola
Alesio Romanjoli 2 gola
Leonardo Bonuçi 2 gola
Rikardo Montolivo 1 gol
Lukas Bilja 1 gol
Fabio Borini 1 gol
Davide Kalabria 1 gol
Rikardo Rodrigez 1 gol
(plus 2 autogola)

Përgatiti: LEDIO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"