Milanin e sfidojnë “amatorët” nga Luksemburgu, Gatuzo: Nuk kemi ardhur me pushime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2018 | 17:44

Milanin e sfidojnë “amatorët” nga Luksemburgu, Gatuzo: Nuk kemi ardhur me pushime

Debutimi sezonal ndaj një ekipi pa asnjë precedent në këtë fazë të Ligës së Europës nuk e lë të qetë Xhenaro Gatuzon. Në konferencë për shtyp nga Luksemburg, tekniku 40-vjeçar predikon për qetësi dhe vëmendje, teksa në fushë pritet të hedhë një formacion me dhjetë ndryshime krahasuar me daljen e fundit në kampionat.

gatuzo

DUDELANZHI

“Nuk më duken ekip surprizë. Nëse kanë ardhur deri këtu, e kanë merituar sepse kanë mundur ekipe si Kluzhi apo Legia e Varshavës. Luajnë me 4-4-2 klasik që në mbrojtje shndërrohet në 4-5- 1 dhe kanë Sinanin, i cili mund ta na dëmtojë me të majtën e tij. Forca e tyre është kolektivi dhe bindja me të cilën sulmojnë çdo top”.

JOSY BARTHEL

“Stadiumi ku do të luhet takimi i sotëm është më i vogli ku kemi luajtur ndonjëherë, por duhet të luajmë futboll dhe fusha është standarde. Jemi 11 kundër 11 dhe mrekullitë sportive nuk përjashtojnë asnjë stadium. Edhe pse i vogël, ka lezetin e tij”.

ORGANIKA

“Patrik Kutrone është stërvitur, por nuk është në kulmin e formës. Muzakio nuk është stërvitur në dy seancat e fundit dhe nuk e grumbullova për ta ruajtur. Të tjerët që kanë qëndruar në shtëpi, e kanë bërë sepse duhet të punojnë me shpejtësinë. Ndryshimet kanë ardhur si nevojë, duam të kalojmë grupin dhe zgjedh ata që mendoj të përshtatshëm për sfidën”.

NDESHJA

“Kur zbret në fushë me një fanellë si ajo e Milanit, ke gjithçka për të humbur. Ndeshjen e kemi përgatitur në mënyrën më të mirë dhe për shumë futbollistë një ndeshje e tillë mund të jetë një ëndërr, por për të fituar këto takime duhet përqendrim dhe dëshirë. Besoj te grupi dhe i kam paralajmëruar, ndaj nuk besoj se do të kemi probleme me qasjen në fushë, fundja në ‘Milanello’ nuk e kalojmë kohën duke krehur kukulla”.

NDRYSHIME

“Edhe ndaj Kaljarit pata vështirësi për të zgjedhur formacionin titullar. Djemtë janë stërvitur në mënyrën e duhur dhe besoj në forcën e tyre. Duke qenë se nuk kanë luajtur shpesh bashkë, mbase do të kenë vështirësi për disa lëvizje, që pjesës tjetër të ekipit i vinë më natyrshëm. Duhet të qëndrojmë të bashkuar në fushë dhe të kemi të qarta idetë në çdo moment”.

STËRVITJA E FUNDIT

“Është një vendim i imi për të mos kryer asnjë stërvitje në tokë të huaj kur udhëtojmë në Europë. E kam bërë që vjet këtë zgjedhje sepse nuk është e lehtë të punosh me njerëz rrotull që ngjiten nëpër shtylla për të të parë apo ‘spiunuar’. Nuk mund të shpërqendrohemi në të tilla forma përpara ndeshjeve kaq të rëndësishme për ne. E theksoj, vendimin e kam marrë unë”.

RINGRITJE

“Ajo ndaj Dudelanzhit nuk do të jetë një sfidë për të harruar Kaljarin. 20 minutat e para në Sardenjë nuk fshihen, sepse gabuam shumë dhe si reparte. Gabimet janë një pikënisje dhe nuk duhen përsëritur, teksa djemtë duhet të ndërgjegjësohen për forcën e tyre. Frika nuk ka përse të ekzistojë, në skuadër ka lojtarë që mund të bëjnë shumë për fanellën e Milanit”.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"