“Milani më dha gjithçka, por zemra ime ka mbetur juventine”, Ueah: Dua që bardhezinjtë të fitojnë titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2021 | 12:34

“Milani më dha gjithçka, por zemra ime ka mbetur juventine”, Ueah: Dua që bardhezinjtë të fitojnë titullin

Kur ishte i vogël u dashurua me Juven prej Platinisë teksa karriera e detyroi të luftonte për Milanin. Sot me petkun e presidentit të Liberisë, Xhorxh Ueah e sheh me tjetër sy Serinë A për të cilën uron që ta fitojë më i miri.

1507809160weah

A mund të jetë Milani më i miri?

Përderisa është në krye të renditjes.

Ju ka habitur?

Përse të habitem. Po flasim për Milanin e jo për ndonjë klub dosido.

Po, por ka vuajtur për shumë sezone…

Tani më në fund ka një projekt të qartë, brilant dhe konkret. Fitorja është pjesë e kulturës kuqezi prandaj edhe unë nuk habitem.

Sa merita ka Maldini në rilindjen e Milanit?

Shumë. Është i përulur, një mik i mirë dhe një kapiten fantastik. Do dukem sikur po i mbaj anën, por është një njeri me zemër të madhe e shumë punëtor. Ka bërë një punë fantastike dhe skuadra po e tregon në fushë se nuhatja e Paolos ka qenë cilësore. Mund të shpallet Milani kampion? Nuk e di nëse do të arrijë të fitojë titullin sepse Juvja, Interi dhe Napoli janë rivalë të vështira. Nuk duhet harruar se kampionati është ende në fazën e parë.

Çfarë mendoni për Zlatan Ibrahimoviçin?

Është shumë i fortë dhe plot vetëbesim. Këto cilësi i dallohen menjëherë, por prapa këtij imazhi ka edhe shumë veçori të tjera. Ibra është nga ata që përpiqen në maksimum dhe është gjithmonë 100 për qind i përqendruar në profesionin e tij. Jo vetëm ekipi i parë, por edhe ekipi i të rinjve mund të mësojë shumë prej tij sepse është një frymëzim për këdo që i luan pranë. Është lideri i Milani dhe mund ta udhëheqë shumë larg. Jam i lumtur për atë që Zlatani po tregon edhe pse është pranë të 40-ve.

Pikërisht mosha. Sa problem mund të jetë?

Nuk ka pikën e rëndësisë dhe ju jap shembujt e Barezit apo Vierkovudit. Madje edhe vetë Maldini luajti gjatë.

Mund ta bëjë edhe Kristiano Ronaldo të njëjtën gjë?

Patjetër. Një tjetër shembull profesionalizmi. Ai është dëshmia më e mirë se si një lojtar duke punuar e duke ndjekur pasionin mund të arrijë objektiva të pamendueshme. Historia e Ronaldos tregon se nëse beson mund t’ia dalësh mbanë. Nuk është më i miri në botë, por stërvitet si i çmendur për të qenë i tillë.

Cili ekipi mendoni se mund të fitojë titullin në Itali?

Them Juventusi dhe kam dy arsye. Kam qenë tifoz bardhezi që në moshë të vogël. Në Afrikë transmetohej Seria A dhe unë çmendesha për Mishel Platininë. Më pas karriera më solli në Itali te Milani ku gjeta një familje. Milani më dha gjithçka, por zemra ime ka mbetur juventine.

Po për Interin që është në supet e Romelu Lukakut, çfarë mendoni?

Jam i lumtur që vendosi të largohej nga Anglia për të ardhur në Itali ku po tregon se sa i zoti është. Jo gjithmonë në karrierë ia kanë njohur meritat, por për mua mbetet një futbollist i madh. Kur e shoh në fushë më kujtohet historia ime që mu desh të lëvizja nga Franca drejt Serisë A.

Si ju duket Pirlo si trajner?

Është inteligjent si trajner po ashtu siç ka qenë kur luante akoma. Është i përulur dhe i aftë të mendojë përpara të gjithëve atë që do të ndodhë në fushë. Karrierën e re sapo e ka nisur dhe te Juvja gjithçka bëhet e vështirë, por e kam mendur gjithmonë se do të ishte një trajner i zoti.

Po Gatuzo?

Djali im. I vogli Gatuzo. Djalë flori, i zgjuar, dinak dhe i vendosur. Mentaliteti ka qenë forca e tij dhe në fushë ishte shumë bujar, por edhe që di çfarë do e se si ta arrijë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"