Milani magjeps që në start, mund Lacion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2014 | 8:28


Milani magjeps që në start, mund Lacion

AC Milan v SS Lazio - Serie AMilani i ri i Inzagit është cinik dhe i pashpirt. Dy goditje në portë për dy gola dhe një penallti u kanë mjaftuar të besuarve të “Djallit” që të përkulin në shtëpinë e tyre një rival si Lacio, që shkoi në “San Siro” shumë e shkujdesur. Në sytë e Berluskonit dhe Toresit, Inzagi me shokë treguan se dinë që të japin edhe prova të tilla karakteri, duke i ndëshkuar më shumë seç duhet “shqiponjat”, që deri në minutën e 95- treguan vetëm pasaktësi para portës.
“9” fals – Në debutimin e tij si trajner në Serinë A, Filipo Inzagi habiti jo pak me zgjedhjet për sulmin. Ai, si sulmues i vërtetë që ishte, zgjodhi të luante me një bomber “fals” si Menez, i cili luante mes El Sharauit dhe Hondës. “Super- Pipo”, duke parë peshën e sulmit të Lacios që formohej nga kampioni i botës, Miro Klose dhe Keita e Kandreva, zgjodhi që të rreshtonte në mbrojtje Bonerën dhe jo Armeron, që është më i predispozuar për të sulmuar.
Me të gjashtin – Miqtë nga Roma e nisën me vrull ndeshjen. Kandreva menjëherë bëri atë di të bëjë më mirë, duke marrë krahun e futur harkime të sakta. Por, nga ana tjetër, të njëjtën gjë bëri edhe El Sharaui. Në minutën e 7-të “Faraoni” mori topin nga Bonera dhe me një galopim të bukur “dogji” Bastën dhe De Vrij, i dha një asist perfekt Hondës që mposhti Berishën që nuk kishte faj. Ky gol i pësuar tërboi Piolin, që e pa vetën të “tradhtuar” nga prapavija e ekipit të tij.
Ndryshim skenari – Pas pësimit të golit të parë, Lacio hoqi dorë që të sulmonte Milanin nga krahët dhe u tërhoq disi. Por, me të filluar fraksioni i dytë, skuadra mike nisi fuqishëm sulmet, edhe pse rrezikoi të pësonte rrjetën e dytë. Në të 52-n u desh një ndërhyrje e Canës për të evituar dëme më të mëdha. Mbrojtësi shqiptar shoi që në fillim një aksion të rrezikshëm të Hondës. Por goli që do të mbyllte ndeshjen nuk do të vononte. Në të 56′ Muntari, pas një asisti të Abates, përfitoi nga mefshtësia e De Vrij dhe Canës për t’i shënuar një tjetër gol Berishës, i cili, ashtu si në të parin, nuk kishte asnjë faj. Pas këtij episodi që ndëshkoi rëndë Lacion, trajneri i kësaj skuadre vendosi të zhbënte tredhëmbëshin e sulmit, duke zëvendësuar Klosen dhe Keitan për Xhorxheviçin dhe Felipe Andersonin. Mirëpo, në minutën e 63-të Menez do të bënte gjithçka vetë, për ta mbyllur një herë e mirë ndeshjen. Francezi, i ardhur nga PSG-ja, detyron De Vrij që ta ndalojë me faull në zonë. Nga pika e bardhë shkon vetë Menez, i cili mposht për të tretën herë Berishën. Pas pësimit të kësaj rrjete, “shqiponja” reagon dhe detyron Milanin të shënojë në portën e vet. Pas shkëmbimeve të shpeshta të topit mes Kandrevës dhe Xhorxheviçit, Aleks tenton të ndërhyjë, duke e dërguar topin pas shpinës së Diego Lopezit. Ishportieri i Realit të Madridit do të ekzaltohej edhe më shumë në minutat e fundit të takimit, duke i mohuar një gol të pastër Kandrevës. Në shifrat 3-1 do të mbyllej takimi i parë i Inzagit si trajner i Milanit.
Përgatiti: ALTIN VORPSI