“Milani luan më bukur, italianet nuk janë ‘kurbani’ i Champions-it”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2018 | 20:17

“Milani luan më bukur, italianet nuk janë ‘kurbani’ i Champions-it”

Andrea Pirlo, teksa shqyrton ofertën australiane për të luajtur me kohë të pjesshme, gjen kohë të analizojë kampionatin italian. Në një intervistë për “Sky Sport 24”, ish-mesfushori deklaroi se konsideron ende “Zonjën e Vjetër” si favorite në Serinë A, duke argumentuar se: “Juvja është ende një shkallë sipër ekipeve të tjera, të cilat janë përforcuar ndjeshëm dhe jo sepse e them unë. Interi dhe Napoli gjithashtu kanë ekipe shumë të forta sipas mendimi tim, por u duhet ende punë për të arritur në nivelin e bardhezinjve”. Një koment të veçantë, “gjeniu” e bëri për ish-klubin e tij, Milanin. Për skuadrën e Gatuzos nuk munguan elozhet:

pirlo

“Kuqezinjtë janë ndër skuadrat që më pëlqejnë më shumë dhe që luajnë më mirë. Gatuzo i ka dhënë një ide të saktë skuadrës, e cila ka në gjirin e saj një përzierje të mirë mes të rinjve dhe lojtarëve me përvojë, ku nuk mungojnë edhe disa italianë. Edhe në nivel drejtuesish, Milani ka rregulluar shumë gjëra me afrimin e Leonardos dhe Maldinit”. Fjalët e fundit në intervistën e shkurtër të Pirlos kishin të bënin me Ligën e Kampioneve, kompeticion që të martën do të ngrejë siparin. “Juventusi mund të fitojë Ligën e Kampioneve sepse ka në përbërje lojtarë ndër më të fortët në qarkullim.

Nuk duhet harruar që Siti, Reali dhe Barça janë përforcuar, por Alegri mund t’ia dalë mbanë. Edhe italianet e tjera, si Roma, Napoli dhe Interi mund të bëjnë mirë, fundja nuk kanë pse e nisin sezonin në Europë si të humbura. Janë në grupe të vështira, por nuk janë ato ‘kurbani'”, përfundoi Pirlo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"