Milani gjen në Francë fantazistin që kërkon Montela

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2016 | 11:02

Milani gjen në Francë fantazistin që kërkon Montela

Në shtëpinë kuqezi për momentin gjithçka është “e ngrirë”, pasi pritet firma e akordit me grupin kinez që parashikon shitjen e maxhorancës së aksioneve nga ana e presidentit të Milanit, Silvio Berluskoni. Futbollisti që mund të sjellë më shumë të ardhura është Karlos Baka, kartoni i të cilit vlerësohet 30 milionë euro nga ana e Milanit.

baka

Kolumbiani ka refuzuar së fundmi ofertën e mbërritur nga Uest Hemi, pasi shpreson që të transferohet tek Atletiko Madrid ose Arsenal që kanë shfaqur interes për 29- vjeçarin. Largimi i mundshëm i Bakës do të sillte në arkat e klubit kapitalin e nevojshëm për t’i dhuruar goditjet e para në merkato trajnerit të ri, Vinçenco Montela.

Mesfusha është reparti më në emergjencë dhe administratori i Milanit, Adriano Galiani, po punon për t’i përforcuar organikën teknikut italian. Sipas shtypit vendës, Liverpuli ia ka lënë të lirë rrugën Milanit për Zielinskin, objektivin e përbashkët në merkato. Adriano Galiani dhe presidenti i Udinezes, Xhampaolo Poco, flitet se kanë gjetur një akord për transferimin e futbollistit në Milano në sezonin e ardhshëm për 25 milionë euro. Ndërkohë, një emër tjetër ka nisur të qarkullojë në shtëpinë e kuqezinjve.

Grenier

Bëhet fjalë për fantazistin francez, Klement Grenier, i cili militon në radhët e klubit të Lionit. Sipas së përditshmes prestigjioze “L’Equipe”, Milani e ndjek prej kohësh futbollistin dhe tashmë duket se është më pranë se kurrë për të nënshkruar me Grenier. Kuqezinjtë dhe Lioni flitet se kanë gjetur një akord për kalimin e lojtarit në Itali me formulën e huazimit me të drejtën e blerjes për 6-7 milionë euro në fund të sezonit të ardhshëm.

Përgatiti: LEAR MAÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"