“Milani do të vuajë konfirmimin”, ish-trajneri i Shqipërisë analizon kuqezinjtë: Teo ideal për lojën e… Bajernit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2022 | 18:54

“Milani do të vuajë konfirmimin”, ish-trajneri i Shqipërisë analizon kuqezinjtë: Teo ideal për lojën e… Bajernit

Hans-Peter Briegel, ish-mbrojtësi dhe kampion i Italisë me Veronën në 1985, por edhe trajner i Shqipërisë nga viti 2002 deri në 2006-ën, ka marrë përsipër të analizojë disa situata te Milani. Gjermani ka rezerva mbi faktin që kuqezinjtë të jenë favoritë, por si kampionë në fuqi, ai e cilëson titullin e fituar si të merituar. Vështirësia, sipas tij, qëndron në konfirmim.

Brigel

Milani fitoi sërish kampionatin pas 11 vitesh. Çfarë mendoni?

Ishte një surprizë e madhe për mua, veçanërisht sepse Interi ishte në krye të tabelës për një kohë të gjatë dhe me një avantazh të caktuar ndaj kuqezinjve. Por më pas, në momentin vendimtar humbi terren dhe çuditërisht Milani doli kampion. Por me meritë.

Me pak kampionë në skuadër, diferencën e bëri kolektivi?

Gjëja e rëndësishme në futboll është që skuadra të funksionojë dhe kështu ndodhi edhe te Milani. Edhe lojtarët e pankinës kanë mundur të shfrytëzojnë rastin kur kanë luajtur, duke dhënë një super kontribut në triumfin final. Ishte prova se te Milani kishte një unitet të madh, një aspekt që tek Interi u venit disi.

Me Romelu Lukakun, Interi është sërish favorit për të fituar titullin?

Interi mbetet gjithmonë ndër favoritët, por vetëm Lukaku nuk të mundëson që të fitosh kampionatin. Fryma e ekipit dhe të qenit të bashkuar do të jenë vendimtare.

Keni qenë mbrojtës krahu, çfarë mendoni për evolucionin e Hernandezit?

Teo është një lojtar i madh. Të gjitha skuadrat në botë do të donin të kishin një mbrojtës krahu si ai. Do të ishte gjithashtu shumë i përshtatshëm për Bajernin.

Keni ndonjë parashikim për sezonin e ri?

Skuadra po përforcohet, por merkatoja nuk ka përfunduar ende dhe organikat nuk janë përfundimtare. Milani si kampion në fuqi së bashku me Interin janë përsëri favoritet, por duhet parë se çfarë do të bëjë Juventusi. Një klub i tillë nuk qëndron dot gjatë pa trofe të tillë, ndaj bardhezinjtë do të kërkojnë revansh.

Përse kaq shumë ndërlikime?

Seria është e vështirë sepse ekipet janë të përgatitura taktikisht dhe të gjithëve u nevojitet shumë punë për të dalë nga fusha me pikë. Vendimtare do të jenë rezultatet me ekipet e provincës, pavarësisht se në sezonin e fundit diferenca qëndroi në derbi mes Milanit dhe Interit.

Përgatiti: REINOLD BAKALL – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"