Milanezët gati për një sezon tjetër si protagonistë në Serinë A/ Milani dhe Interi, duel titulli në 10 lëvizje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2021 | 23:30

Milanezët gati për një sezon tjetër si protagonistë në Serinë A/ Milani dhe Interi, duel titulli në 10 lëvizje

Jemi vetëm në fillim të ka mpionatit dhe rruga ësh të e gjatë, e pavarësisht kreut të Serisë A nuk duhet harruar se Interi dhe Milani nuk kanë arritur asnjë pikë në Champions. Nuk duhen gjykuar në Europë e as të shenjtërohen prej këtij fillimi të sezonit, por 13 pikët e renditjes nuk janë rastësi, ndaj po mundohemi t’i gjejmë 10 arsyet e kësaj ecurie.

derbi

1.SOLIDITET

Vështirë të mundet kjo Milano luftarake Interi ka humbur vetëm njërën nga 26 ndeshjet e fundit në kampionat ndaj Juves, por me titullin në xhep. Milani për herë të fundit u rrëzua më 26 prillin e kaluar kur Lacio e mposhti 3-0. Milano e futbollit është luftarake, e teksa zikaltrit ruajnë shpirtin e Antonio Kontes, kuqezinjtë shijojnë entuziazmin e rinisë që rritet rreth Ibrahimoviçit. Vërtetë në Champions pikët janë 0, por nuk duhet harruar se Interi e futi në qoshe Realin për shumicën e kohës, ndërkohë që “Djalli” nuk u dridh në një fushë si ajo e Liverpulit. Milanezët kanë një strukturë solide dhe kanë mësuar t’i rezistojnë vështirësive duke u sakrifikuar deri në vetëmohim. Fryma dhe vrapimet, përbërësit kryesorë për titullin nuk u mungojnë siç e dëshmojnë 9 tituj radhazi të Juventusit.

2.LOJA

Milani më mirë, taktika ndihmon individin Pjesa e parë spektakolare kundër Lacios dhe reagimi ndaj Juves certifikojnë nivelin e edukimit taktik të Piolit. Rivalët bien pre e presingut kuqezi, teksa loja zhvillohet në linja të qarta e me siguri. Rilindja ka ardhur nga identiteti taktik që ka rritur rendimentin e individualiteteve jo edhe aq galaktike të Milanit. Simone Inzagi nuk ka dy vjet që punon te zikaltrit, ndaj është normale që të mos ketë siguritë e Piolit, megjithatë ka trashëguar kampionët e Italisë. Largimet e Lukakut dhe Hakimit imponuan ndryshime, por të paktën skema fituese 3-5-2 nuk u prek. E me sa duket as identiteti taktik.

cunat

3.TRAJNERËT

Kontroll total mbi organikat përkatëse E thamë: Pioli ka pozitiva të favorshme prej dy viteve në detyrë. Ai e njeh deri në detaje krijesën e tij e cila jep përgjigje edhe në momentet më kritike. Siç ndodhi të dielën ndaj Juves, por edhe në vështirësitë kundër Venecias. Vetëm Xhampier Gasperini mund të krenohet me një raport më intim me skuadrën e tij. Simone Inzagi sapo ka mbërritur, por dora e tij dallohet pavarësisht se nuk është ambientuar ende. Ai është nga ata që i merr më të mirën grupit pa qenë nevoja t’i bëjë presion si Konte. Madje as gjatë ndeshjeve.

4.MBROJTJA

Shkriniar-De Vraj-Bastoni, bunkerë dhe qendër force Inzagi ka trashëguar mbrojtjen më të mirë të sezonit të kaluar (35 gola të pësuar) që ishte pika më e fortë e kampionëve të Italisë. Më e rëndësishme se LuLa, prapavija interiste ka pësuar 5 gola sivjet, ndërkohë që Shkrinari dhe De Vraj Bastoni kanë lejuar vetëm 12 goditje në drejtim të Handanoviçit. Ja që edhe Milani di të mbrohet siç e konfirmojnë vetëm dy golat e pësuar nga Menja në 450 minutat e para sezonale. Vitin e kaluar Pioli kishte mbrojtjen e tretë më të mirë të kampionatit, por rritja e Tonalit dhe fiziku i Kesit mund të ndikojnë në përmirësimin e këtij aspekti. Fundja, historia e titullit flet qartë: Pa prapavijë nuk fitohet.

koreografite

5 LUANË TË RINJ

Barela-Tonali, sot për titull e nesër flamuj Në renditjen e dueleve të fituara në këtë fillim kampionati, në vendin e dytë është Nikolo Barela me 11.5 duele të fituara, teksa Tonali i vjen pas me 9 të tilla. Dy luanët e milanezëve e kanë nisur sezonin në mënyrën më të mirë dhe janë treguesi më i qartë i urisë që kanë ekipet përkatëse. Interesant është fakti që Barella u rrit si interist e Tonali si milanist. Dy ishfëmijë që tashmë po përjetojnë ëndërr. Është ky imazhi më domethënës i një sfide për titull nën hijen e “Duomo”-s që nesër mund t’i shohë mesfushorët me shiritin e kapitenit në krah. Si Macola me Riverën gjysmë shekulli më parë e mbase të dy bashkë te kombëtarja e Italisë. Me apo pa stafetë duke qenë se mbulojnë të njëjtin rol.

6 FANTAZI

Surpriza në pritje të Ibrahmoviçit Me 24 driblime të suksesshme, Boga i Sasuolos është akoma larg Brahim Diazit që ndodhet në kuotën 19. Pas numri 10 kuqezi është Leao me 17. Fantazia është forca e vërtetë ofensive e “Djallit”, me spanjollin që është surpriza e vërtetë e sezonit. Miku i tij portugez po shfaq një mendësi të re, ndërsa Rebiçi është rritur në aspektin e vazhdimësisë. Kur Ibra e Zhiru të jenë gati, Milani do të ketë një park lojërash ofensiv. Nuk po vuan Interi që ka 11 golashënues në këtë fillim sezoni, por duket sikur po humbet Çalhanoglunë pas debutimit si interist kundër Xhenoas. Në pritje që turku ta gjejë formën e duhur e Korrea të ambientohet, Xheko është kthyer në një regjisor sulmi që po udhëheq zikaltrit drejt rrugës së golit.

inter

7. SULMI

Gol çdo 4 goditje, snajperistët janë zikaltër Nëse fantazia vishet kuqezi, goli dukshëm preferon kostumin zikaltër. 18 gola në pesë javë, gati dyshi i Milanit që ka shënuar “vetëm” 10 herë. Përqindja realizuese zikaltër është në vlerën 25.9 përqind, çka do të thotë që djemtë e Inzagit shënojnë një gol në çdo katër goditje drejt portave rivale. As Lacio e bomberit Imobile nuk gëzon të tilla statistika. Xheko e Lautaro, 7 gola së bashku kanë gjetur njëritjetrin me karakteristika diametralisht të kundërta. Pioli duhet t’i zgjidhë problemet e Zhirusë dhe Ibrës që të mos rrezikojë ndonjë agjërim të papritur në gola. Titulli nuk fitohet as pa një sulm dinjitoz, Rebiç e Leao nuk garantojnë sasinë e duhur.

8.KURAJË

Presingu përmirëson vetëbesimin Për t’i hequr frikën djemve pa përvojë të ekipit, Pioli zgjodhi rrugën e kurajës e cila po jep fryte. Ai i edukoi lojtarët me presing dhe agresivitet që duhen ushtruar në territoret armike. Kjo ndjesi i ka rritur vetëvlerësimin kuqezinjve të cilët, siç u pa, nuk u drodhën as në “Anfield” të Liverpulit. Edhe Inzagi e detyroi Interin të dilte nga strofulla e kundërsulmit. Bariqendra zikaltër është në 49 metra, teksa ajo e “Djallit” në 51, çka konfirmon qasjen e dy milanezëve. Kush do fitore, duhet të guxojë. Milani dhe Interi po e bëjnë.

milan

9.EMPATI

Probleme dhe forcë, ja pakti zikaltër Një tjetër sekret i rilindjes kuqezi është atmosfera. Në momentin më kritik, skuadra u mblodh rreth Piolit dhe rritja erdhi në tonalitet, ashtu si grupi, edhe Maldini apo fuqia e klubit kur Donaruma e Çalhanoglu kthyen shpinën. Diçka e tillë ndodhi gjatë verës tek Interi kur problemet mbinin si kërpudha. Largimet e Kontes, Lukakut e Hakimit u kompensuan me qetësinë e një skuadre që ka dëshirë të tregojë se mund të fitojë edhe pa tre elementë të rëndësishëm. Problemet e pronarëve kinezë bënë që grupi të bashkohej edhe më fort duke na treguar se milanezët mund ta ndjekin titullin me krenarinë e të mbijetuarve në ambientet përkatëse.

10.NË RRITJE

Vlerë e shtuar me Xhekon, Çalhanë dhe Dumfrisin Ëndrrat në Milanon kuqezikaltër shtohen kur hamendësohet për një rritje të mëtejshme. Te “Djalli” ajo mund të vijë nga Ibrahimoviçi, një sulmues me mbi 500 gola në CV e për më tepër një motivues që di të ngrejë nivelin e kujtdo që i luan pranë. Përvoja e Zhirusë dhe fantazia e Mesiasit janë prurje që priten nga pankina kuqezi, ndërkohë që Interi ka më tepër hapësirë rritjeje. Fillimisht sepse Simone Inzagi sapo ka zbarkuar dhe futbolli i tij është diçka më shumë nga sa kemi parë deri tani, e për më tepër duhet që ekipi të mësohet me një sulmues si Xheko, aq i ndryshëm nga Lukaku. Nuk mund të harrojmë Dumfris dhe Çalhanoglu që kanë ende nevojë për kohë ambientimi. Milani dhe Interi janë si dy qiellgërvishtëse që mund të synojnë qiellin.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"