Milan, priten edhe tri largime të tjera

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2012 | 11:56

Milan, priten edhe tri largime të tjera

Pas largimeve të senatorëve si Inzagi, Sedorf, Nesta, Zambrota dhe Gatuzo nga Milani, edhe Maksi Lopez, Matjë Flamini së bashku me Alberto Akuilanin nuk e kanë të qartë të ardhmen e tyre në kampin kuqezi. Që të tre këtyre futbollistëve u skadon kontrata më 30 qershor. I pari nga këta që do të takohet me administratorin e klubit të Milanit, Adriano Galiani, është Alberto Akuilani. Duket se mesfushori italian është i destinuar të rikthehet te Liverpuli, por Galiani është shprehur i hapur ta mbajë, në rast se drejtuesit anglezë do t’i ulin pretendimet e tyre nga 6 milionë euro në 3 për kartonin e tij. Një çështje tjetër që ka mbetur pezull është ajo e sulmuesit Maksi Lopez. Ish-sulmuesi i Katanias është aktivizuar me pikatore nga trajneri Alegri. Për këtë motiv Galiani nuk është i sigurt, nëse duhet t’ia blejë kartonin e tij Katanias. Ndërkaq, për ish-katalanasin kanë shfaqur interesimin e tyre klubet e Bolonjës dhe Fiorentinës, megjithëse vetë argjentinasi do të vazhdojë që të qëndrojë te Milani. “Te Milani jam mirë, – ka thënë Maksi Lopez, – dhe kam besim se drejtuesit kuqezi do të më mbajnë”. Së fundmi, Galiani ka ndryshuar plotësisht mendim për sa i përket Matjë Flaminit. Francezi dukej se do të largohej nga Milani, por gjatë orëve të fundit flitet shumë për qëndrimin e tij, gjithmonë nëse ai do pranojë reduktimin e pagës së tij vjetore nga 4.5 milionë euro në sezon në 2 të tilla.