Miho tregon Apoloninë e re: Jo më lojtarë qokash, askush nuk do luajë prej emrit që ka

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2018 | 20:45

Miho tregon Apoloninë e re: Jo më lojtarë qokash, askush nuk do luajë prej emrit që ka

Apolonia e Fierit është një ndër skuadrat që jo vetëm e ka nisur më herët përgatitjen për sezonin e ri, një ndër skuadrat që ka zhvilluar më shumë ndeshje miqësore, por edhe e bindur në atë që synon këtë sezon. Nuk e kanë pjesë fasade e vetëm për marketing deklarativ, por për përmbushje misioni. Fierakët kanë bërë goditje cilësore në merkato, presin dhe 2-3 lojtarë të tjerë me peshë dhe kjo skuadër mund të konsiderohet pa hezitim si një ndër favoritet më kryesore të Grupit B të Kategorisë së Parë.

Ende një ekip i paplotë, i pakolauduar siç duhet, me nevoja përforcimi, por ndër skuadrat më të qarta gjer tani. Problematikën e kësaj Apolonie e tregon trajneri Marjol Miho, ai që e njeh më mirë se askush gjendjen dhe nevojat e skuadrës. “Jo një, por dy lojtarë të sulmit, shumë shpejt dhe të dy futbollistë me cilësi. Nuk jap më shumë detaje për momentin, por, përtej kësaj, mos harroni: kam Apoloni grupi dhe referenca në pjesën finalizuese është ‘qershizë mbi tortë'”, thotë ndër të tjera Miho në intervistën e tij për gazetën. Gjithashtu, deklaron edhe një herë se synimi i skuadrës do të jetë ngjitja në Superiore.

apolonia bujar miho

Miho, një muaj duke stërvitur këtë skuadër, aktiv në merkato dhe shumë miqësore. Me përjashtim të humbjeve me Tiranën e Luftëtarin, ekipe të Superligës, grupi që keni ndërtuar nuk ka humbur me asnjë tjetër kundërshtar…

Po, kjo duhet të jetë Apolonia, madje më shumë se kaq. Nuk janë rezultate të rastësishme, pasi e keni ndjekur “step by step” atë që ne po bëjmë. Po, kemi humbur me Tiranën dhe Luftëtarin, në dy miqësore, por kemi zhvilluar ndeshje të mira, me grintë, kemi krijuar raste, sidomos me gjirokastritët kemi zhvilluar një lojë shumë të mirë. Kemi fituar me dy rivale kryesore, Lushnjën dhe Bylisin, në çdo takim që kemi luajtur, dy jashtë fushe e një në Fier, por e ritheksoj, nuk duhet të nisemi nga këto ndeshje miqësore. Ajo që veçoj te skuadra është ana mentale, po rritet në filozofi, nuk druhet e as mendon për kundërshtarin, por për vete dhe kjo gjë është shumë e rëndësishme.

Nga çfarë vuan Apolonia juaj, ku ka probleme kjo skuadër?

Problemi ynë… Sigurisht sulmi, por ju siguroj që do të forcohemi! Në këtë pikë dua të sqaroj se jo se na kanë munguar alternativat për pjesën ofensive, por kanë qenë larg filozofisë sonë, që konsiston larg egocentrizmit të një lojtari, që na tregon se ku ka luajtur e kur. E theksoj prapë që askush nuk peshon më shumë se Apolonia e askush nuk do luajë në këtë ekip vetëm për hir të së kaluarës, por sa jep aktualisht në fushë!

Keni pësuar gol në çdo ndeshje; nga ana tjetër ka një shpërndarje të golave të shënuar: 10 lojtarë të ndryshëm për 13 gola në këto miqësore. Pozitive a negative këto dy pika?

Po, në mbrojtje kemi probleme të vogla, që do i riparojmë shpejt. E pranoj që golat më shumë i pësojmë ne dhe më pak ka meritë kundërshtari. Besoj se pjesën difensive do e kemi siç duhet gjatë kampionatit, pasi është reparti ku ne kemi aq alternativa, madje cilësore. Golat e shënuar nga shumë lojtarë nuk është tregues negativ, përkundrazi. Kjo gjë dëshmon forcë grupi, edhe pse ne nuk do mjaftohemi këtu, se pa dyshim që na duhet një lojtar që të marrë përsipër golin, pastaj kështu vazhdofshim, sa më shumë gola nga të gjithë!

E përmendët mungesën e lojtarit referencial të golit. Do të ketë Apolonia një të tillë, po kërkoni, jeni të bindur që do të merrni apo do të operoni me lojtarët që keni disponibël?

Jo një, por dy lojtarë të sulmit, shumë shpejt dhe të dy futbollistë me cilësi. Nuk jap më shumë detaje për momentin, por, përtej kësaj, mos harroni: kam Apoloni grupi dhe referenca në pjesën finalizuese është “qershizë mbi tortë”.

Linja e majtë… Më shumë po bëni adaptime me lojtarë jashtë pozicionit të tyre natyral…

Ashtu duket së jashtmi, por nuk kemi nevojë për të tjerë. Buzi, Kolgega, K. Prifti, Zoga… Kemi dhe alternativa, lojtarë që luajnë nga dy krahët, kjo është shumë pozitive për Apoloninë. E kemi mbyllur, nuk na duhen më lojtarë në këtë linjë.

Trajneri i ri Miho, a ndihet i presuar, edhe pse kampionati nuk ka filluar? Kjo pyetje në kontekstin e raportit: premtime të bëra – përbërje e skuadrës – pritshmëri nga ekipi – tifozë…

Më duhet të deklaroj se mua nuk më tremb asgjë, në asnjë rrethanë e me asnjë ekip, nëse e marr përsipër për ta drejtuar! Sepse besoj te vetja me këtë skuadër që kam, besoj shumë më tepër tek ata lojtarë. Unë jam djalë i këtij qyteti dhe kam detyrim të dyfishtë e kurrë nuk kam bërë apo menduar të bëjë deklarime “për të larë gojën”, e them me forcë. Kam ardhur për Apoloninë e niveleve ku e meriton, këtë e them me përgjegjësi profesionale dhe është premtim!

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"