Mihajloviç/ Nacionalisti i dashuruar me shqiptarët, nga Mustafi tek Ajeti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2016 | 23:18

Mihajloviç/ Nacionalisti i dashuruar me shqiptarët, nga Mustafi tek Ajeti

Sinisha Mihajloviç, në kulmin e tij si lojtar, ishte i njohur për qëndrimet politike dhe antishqiptare.

bbb45a26-121d-437a-a52a-bb9556738473---0Në vitin 1999, gjatë kohës së bombardimeve të forcave të NATO-s mbi zonat ushtarake serbe, ai pati udhëhequr një protestë të futbollistëve serbë që aktivizoheshin në Itali, ku luante edhe vetë me Lacion.

Tentoi t’i çonte drejt një bojkoti të ndeshjeve, por ata u kërcënuan nga liga italiane dhe u zmbrapsën. Ishte rasti më flagrant ku sportistët individualë ishin përzier në çështje politike. Mediat serbe e kanë përshkruar si një atdhetar të madh serb. Edhe vetë ishte deklaruar i tillë.

Për “çështje nacionale” kishte përjashtuar nga Përfaqësuesja e Serbisë një lojtar boshnjak (Adem Ljaiç), pasi ai nuk kishte pranuar të këndonte himnin e Serbisë.

Por, gjërat ndryshojnë si trajner i klubeve italiane. Ai ka së paku tri përvoja ku ka pasur lojtarë shqiptarë në ekipe dhe të fundit janë shprehur mirënjohës ndaj tij.

I pari ishte Valon Behrami, që më 2010 e kishte trajner te Fiorentina. Më pas e pati Shkodran Mustafi te Sampdoria dhe tashmë do ta ketë Arlind Ajeti te Torino. Në fakt, Ajeti është përforcimi i parë i Mihajloviçit që kur mori drejtimin e Torinos.

Behrami në shumë raste e kishte çuar në qiell Mihajloviçin për trajtimin që po i bënte, por edhe serbi ishte shprehur plot mirënjohje ndaj cilësive të tij.

“Po të kisha 11 Valona në fushë, do të fitoja çdo ndeshje. Ai bën punë të mirë në mesfushë dhe kam kënaqësi që punoj me të”, pati thënë Mihajloviç kur drejtonte skuadrën e Fiorentinës.

Behrami si model

Lëvdata pati edhe nga ana e Behramit, i cili në muajin maj të vitit 2012 mbajti një konferencë për mediat në Prishtinë. Ai tregoi për marrëdhëniet që ka pasur me Mihajloviçin.

“Kur më ka bërë ofertë Fiorentina i kam thënë babait tim se trajneri është serb. Babai m’u përgjigj se ‘ka kaluar ajo kohë’. Dhe kur kam shkuar te Fiorentina, trajneri ma ka zgjatur dorën dhe më ka pyetur se a di serbisht.

Unë i thashë ‘jo’, ndërsa ai shtoi ‘di të fitosh?’. I thashë ‘po’. ‘Epo në rregull, të dy jemi njësoj në këtë aspekt’. Ai më ka pritur mirë dhe më ka dhënë përkrahje vazhdimisht.

Do të doja të punoja sërish me të. Unë ende mbaj kontakte me Mihajloviçin”, pati thënë Behrami. Më vonë Mihajloviç u bë trajner i Sampdorias. Në skuadër gjeti një tjetër shqiptar, Shkodran Mustafin. Me Mustafin punoi vetëm një vit. Por viti i kaluar për Mustafin ishte i artë.

Pas hapësirës së dhënë nga Mihajloviç, Mustafi u ftua në përfaqësuesen e Gjermanisë. Madje u bë edhe kampion bote. Falë paraqitjeve nën urdhrat e Sampdorias, pas europianit Mustafi u largua në drejtim të Valencias, ku edhe është lider i mbrojtjes. “Personalisht, Mihajloviç më ka ndihmuar shumë kur isha te Sampdoria dhe ai ka treguar besim të madh tek unë.

Unë i jam mirënjohës, sepse ai më dha shansin e karrierës dhe falë tij jam këtu sot”, pati thënë Mustafi. Ai, në intervistat e dhëna, kur është pyetur për periudhën në Sampdoria dhe punën me trajnerin serb, ka thënë se Mihajloviç është i fokusuar te lojtarët e rinj.

Pak javë më parë, Mihajloviç u emërua trajner i Torinos. Ai do të punojë me një tjetër futbollist të ri me moshë, pasi të dielën firmosi kontratë për tre vjet mbrojtësi kosovar i Kombëtares së Shqipërisë, 22-vjeçari Arlind Ajeti. Mbrojtësi është edhe transferimi i parë i bërë nga Torino me kërkesë të trajnerit Mihajloviç.

I kënaqur që Ajeti do të punojë me Mihajloviçin është edhe drejtori sportiv i Torinos, Xhanluka Petraki: “Ne jemi të lumtur që trajneri Mihajloviç do ta ketë në dispozicion Ajetin”, ka thënë të dielën drejtori Petraki.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"