Mici: Kukësi si Çelsi, rikthehemi sërish të frikshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 31, 2016 | 8:41

Mici: Kukësi si Çelsi, rikthehemi sërish të frikshëm

Gledi Mici, një nga lojtarët më kon stantë në formacionin e Kukësit, mendon se nga sot do të nisë një erë e re për skuadrën.kukesi mici Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi i majtë mendon se nuk duhet bërë dramë situata te Kukësi, pasi, sipas tij, skuadra do të rikthehet e frikshme. Madje, fieraku bën edhe një krahasim me anglezët e Çelsit.

Gledi, e keni nisur keq vitin, duke humbur në Durrës për çerekfinalen e Kupës, ndërsa fitoren e fundit e keni më 6 dhjetor të vitit të kaluar ndaj Vllaznisë. Çfarë po ndodh te Kukësi?

Nuk besoj se është dramë, në futboll ndodhin këto. Natyrisht kemi katër ndeshje radhazi që nuk fitojmë, por çfarë duhet të themi për Çelsin që këtë vit ka 20 humbje?! Pra, janë gjëra që futbolli i pranon. Megjithatë, tashmë ne jemi të qetë nga ana psikologjike dhe morale. Po stërvitemi mirë, kemi mbështetjen e presidentit dhe jam i bindur që nesër (sot) ndaj Bylisit do t’ia shpërblejmë me fitore.

Janë bërë disa ndryshime në skuadër, cili është gjykimi juaj?

Merkaton e bëjnë të tjerët, nuk mund të gjykoj unë. Gjithsesi, mua skuadra më duket gati dhe e shikoj të fortë. Pra, mendoj se jemi të kompletuar në të gjitha aspektet.

Trajneri Duro ka thënë se në skuadër ka harmoni, pavarësisht rasteve të Hasanit dhe Nikës. Ju si mendoni?

Për mua trajneri Duro ka futur një frymë të re në skuadër. Ai na ka dhënë mbështetje maksimale të gjithëve, ku secili ka mundësi të shprehet lirshëm në fushë. Natyrisht, ka edhe shumë konkurrencë. Duke dubluar të gjitha rolet, trajneri Duro ka futur rivalitet në ekip, kështu që të gjithë duhet të punojnë shumë që të jenë në formacion. Kjo është anë pozitive dhe ndikon mirë për skuadrën.

Ju ndiheni nën presion sa i përket vendit të titullarit?

Nuk jam fare nën presion, pasi konkurrenca na bën mirë të gjithëve. Nëse do ta ndieja veten të sigurt, atëherë vetvetiu do të bija në gjendje gjumi. Këtu jemi të gjithë për të bërë më të mirën për Kukësin, që skuadra të ecë përpara dhe të arrijmë objektivat e klubit.

Kampionati nisi, si e parashikoni ndeshjen me Bylisin?

Kjo ndeshje është vetëm për të marrë tri pikët. Mendoj se nëse marrim vetëm një pikë, atëherë jemi të humbur.

Tifozët duket sikur janë ftohur me skuadrën prej ecurisë, jo si në sezonin e kaluar…

Ata mbase kanë të drejtë, por tifozët e vërtetë duken kur skuadra ndodhet në momente të vështira. Kemi pasur uljengritje, por unë i ftoj ata që ta mbështesin Kukësin dhe të kenë besim te ne.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"