“Mezi e pres”, Çalha kërkon Champions-in: Në Stamboll për historinë, me Asllanin…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2023 | 17:00

“Mezi e pres”, Çalha kërkon Champions-in: Në Stamboll për historinë, me Asllanin…

Hakan Çalhanoglu i është gëzuar Kupës së Italisë të fituar ndaj Fiorentinës dhe ka shënjestruar edhe një herë synimin tashmë të njohur të Interit, trofeun e Champions Legaue. Mesfushori ka shansin e artë që ta luajë në vendlindje finalen e parë të tij në këtë kompeticion dhe 29-vjeçari i Interit kërkon ta shfrytëzojë në maksimum këtë gjë.

Calha

“Jam shumë i lumtur që kemi arritur të fitojmë trofeun e Kupës së Italisë. Është një sukses që na jep shumë forcë, sepse konfirmon një tjetër finale të luajtur në mënyrën më të mirë. Gjithmonë kemi ditur t’i luajmë finalet dhe t’i fitojmë, edhe pse ndonjëherë me vuajtje”, është shprehur Çalhanoglu që ka folur edhe për momentin e tij tek Interi dhe rinovimin.

“Unë jam shumë i lumtur tek Interi, ndiej dashurinë e të gjithë tifozëve dhe përkrahjen e vazhdueshme të tyre, që janë gjithmonë pranë nesh. Dua ta vazhdoj ëndrrën time këtu tek Interi dhe jemi pranë rinovimit. Viti i parë ka qenë i vështirë pas transferimit nga Milani dhe unë kam dashur gjithmonë t’i jap përgjigjet në fushë. Jam përmirësuar, kam luajtur si fantazist, por edhe në regji, sepse skuadra kishte nevojë dhe falë trajnerit dhe stafit ia kam dalë ta kryej me sukses”, u shpreh Çalha.

CHAMPIONS DHE MESFUSHA – Padyshim që në mendjen e mesfushorit dhe të të gjithë zikaltërve është finalja e Champions-it që do të zhvillohet në Stamboll, për të cilën turku tha: “E pres me padurim atë ditë. Presidenti i Federatës Turke të Futbollit më ka telefonuar tashmë dy herë dhe e ndiej se të gjithë janë me mua.

Shpresoj që të mund të shkruaj historinë si lojtari i parë turk që ka fituar këtë kompeticion, edhe pse e di që do të vuajmë në një ndeshje të vështirë. Por ne besojmë, besonim edhe ndaj Barcelonës dhe tani do të shohim çfarë do të ndodhë”. Në fund Çalhanoglu u pyet edhe për vendin e tij mes mesfushorëve më të mirë në botë si De Bryjne dhe Modriç.

“Unë jam përmirësuar dhe e ndiej këtë, por ne kemi një mesfushë shumë të fortë dhe të kompletuar, përfshirë këtu edhe Asllanin që po vjen, po përmirësohet. Ne do të japim gjithçka për njëri-tjetrin në finale, do të luftojmë ndaj një rivali me cilësi dhe do të shohim kush do të jetë më mirë”, tha turku.

Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"