Mezanin e kënaq edhe një pikë: Mjafton që të mos humbasim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2017 | 9:57

Mezanin e kënaq edhe një pikë: Mjafton që të mos humbasim

Gentjan Mezani e pranon se në Lushnjë nuk do ta kenë të lehtë. Në një prononcim të dhënë dje për “Panorama Sport”, trajneri i Laçit shpreson që lojtarët të bëjnë një paraqitje dinjitoze në fushë dhe në fund të mos dalin duarbosh nga “Roza Haxhiu”.

Mezani Flamurtari stervitje 2017

“Mendoj që do të jetë një ndeshje e vështirë përballë Lushnjës. Kjo për vetë faktin që kundërshtari luan në shtëpi. Kjo gjë na e vështirëson pak situatën. Por shpresoj që të bëjmë një ndeshje të mirë. Janë të gjitha mundësitë për të marrë një rezultat pozitiv, pasi unë kam shumë besim te lojtarët dhe skuadra që drejtoj. Ndaj, për këto, dua që të marrim maksimumin nga ky takim”, tha fillimisht Mezani.

Numri një i stolit kurbinas tregohet realist, ndërsa thekson se edhe një barazim do i mjaftonte. Mezani thotë se ekipi duhet të bëjë maksimumin dhe e rëndësishme është që të mos humbasë.

“E rëndësishme është mos të humbim. Ne duhet që të bëjmë maksimumin tonë. Nga kjo ndeshje duhet që të marrim më të mirën, edhe pse është një takim i vështirë, për vetë faktin se e luajmë edhe në transfertë”, theksoi vlonjati i stolit të Laçit. Në fund, ai komentoi edhe gjendjen e grupit, ndërsa nuk ngurroi që të thurte elozhe për lojtarët.

“Jam shumë i kënaqur sepse skuadra më ndjek. Por jam shumë i ndërgjegjshëm se kemi shumë punë për të bërë. Kjo pasi janë shumë lojtarë të rinj në skuadër. Megjithatë dua të them se e përgjithshmja është shumë pozitive”, përfundoi Mezani. Sakaq, Laçi do të ketë vetëm një mungesë sot. Ademir Soza është i dëmtuar, ndaj nuk do të jetë në fushë.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"