Mezani sfidon Vllazninë: Është një kundërshtar i fortë, por i rrëmbejmë trepikëshin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2017 | 18:07

Mezani sfidon Vllazninë: Është një kundërshtar i fortë, por i rrëmbejmë trepikëshin

Trajneri i Laçit, Gentian Mezani, në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, tha se ndeshja me Vllazninë do të marrë një vlerësim maksimal nga ana e ekipit bardhezi. “Vijmë nga ndeshje të mira me Kukësin dhe me Lushnjën. Edhe pse kemi humbur ndaj Kukësit, kemi bërë një lojë shumë të mirë. Do të preferoja të kisha luajtur keq dhe të kisha marrë pikët. Por, unë mendoj që jemi në rrugën e duhur duke bërë një futboll të bukur. Duke bërë këto lojëra, si me Kukësin, apo me Lushnjën, unë mendoj se jo gjithmonë do të jemi të pafat.

Mezani Flamurtari 2017

Pra, rezultatet do të vijnë pa diskutim. Ndaj Lushnjës kisha vendosur një skuadër për të dalë te ndeshja e Vllaznisë. Një skuadër disi me elementë të rinj, pasi ishte e vlerësuar pa diskutim. Por, kishim edhe mungesa. Rexhinaldon, që pas një dëmtimi, po mundohemi ta rikuperojmë dhe këtë nuk e dimë për ndeshjen me Vllazninë. Është një dëmtim në tendinë. Nika po ashtu, që është i dëmtuar. Kemi dëmtimin e Shalës. Lojtarë formacioni, që i kemi të dëmtuar. Pa diskutim, që ndeshja me Vllazninë është vlerësuar maksimalisht nga ana jonë”, deklaroi trajneri Mezani.

VLLAZNIA – Tekniku bardhezi kërkon të marrë më të mirën nga transferta me Vllazninë. Ai tha se mundësitë për t’u rikthyer te fitorja janë reale. “Është një kundërshtar relativisht i fortë. Normalisht, vijnë pas dy fitoresh radhazi në fushën e tyre dhe morali i kundërshtarit tonë është i lartë. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mendojmë për të bërë më të mirën. Për mendimin tim, skuadra psikologjikisht është e shëndoshë. Do të ishte kënaqësi ta kishim fituar atë ndeshje, por nuk ka ndodhur absolutisht asgjë. Ishte thjesht një ndeshje dhe mirë do të ishte të fitohej.

Sigurisht, që synohet rikthimi te fitorja në ndeshjen me Vllazninë. Mundësitë i kemi. Janë tri rezultate në fushë dhe do të mundohemi të marrim më të mirën”, mbylli Mezani. Tetë pikë ka marrë skuadra e Laçit në takimet në transfertë, ku spikasin fitoret ndaj Partizanit dhe Lushnjës. Kurbinasit kanë mundur të shkëpusin pikë edhe në Durrës e Gjirokastër. Në transfertën me Vllazninë synohet një tjetër rezultat pozitiv nga skuadra e drejtuar nga trajneri Gentian Mezani. Laçi, në javët e fundit, ka treguar një futboll të bukur, duke vënë në vështirësi çdo kundërshtar.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"