Mezani sfidon të shkuarën, dy titullarë me probleme para Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2017 | 10:39

Mezani sfidon të shkuarën, dy titullarë me probleme para Flamurtarit

Laçi i trajnerit Gentian Mezani kërkon që të lërë pas humbjen me Skënderbeun dhe të rikthehet te rezultati pozitiv ndaj Flamurtarit. Laçi është pritës në këtë takim, por ndaj kuqezinjve do të luhet në Krujë, nesër në orën 14:00, për shkak të ndërhyrjeve që janë bërë në tapetin e fushës së stadiumit të Laçit.

Mezani Flamurtari stervitje 2017

Ndonëse luhet në stadiumin “Kastrioti” të Krujës, drejtuesit shpresojnë që të kenë edhe mbështetjen e tifozëve, të cilëve u kanë bërë thirrje që të jenë të pranishëm. Ky duel është shumë i rëndësishëm për të besuarit e trajnerit Mezani, pasi në rast fitoreje i parakalojnë vlonjatët në renditje.

Trajneri Gentian Mezani, për herë të parë, do të jetë ndaj të shkuarës, pasi në sezonin e shkuar ka drejtuar Flamurtarin. Pozitiv mund të konsiderohet fakti se trajneri vlonjat i Laçit e njeh mirë ambientin dhe filozofinë e kundërshtarëve të nesërm. Skuadra kurbinase pritet që të mos jetë e plotë për sfidën me Flamurtarin, pasi dy nga titullarët e skuadrës kanë shfaqur probleme fizike pas transfertës së Korçës. Kejvi Bardhi me Maikon Eskuerda shikohen në dyshim për ndeshjen e nesërme.

Gjithsesi, stafi teknik do ta monitorojë situatën e lojtarëve me probleme deri në fund dhe më pas do të vendoset për formacionin që do të përballet me Flamurtarin e trajnerit Shpëtim Duro. Në sezonin e shkuar, Laçi dhe Flamurtari ishin dy nga ekipet që e siguruan mbijetesën në Superiore në fund të kampionatit, ndërsa këtë edicion e kanë nisur më mirë dhe shpresohet që të mos përfshihen në zonën e rënies.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"