Mezani: S’duhet të dalim pa pikë, kujdes nga sulmi i Luftëtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2017 | 11:23

Mezani: S’duhet të dalim pa pikë, kujdes nga sulmi i Luftëtarit

Gentjan Mezani kërkon përqendrim maksimal sot përballë Luftëtarit në Gjirokastër. Në një prononcim të dhënë dje për “Panorama Sport”, trajneri vlerësoi kundërshtarin, ndërsa evidentoi se kanë cilësi në organikë. Dhe ajo që e “frikëson” më tepër është sulmi i vendëseve, që sipas tij është i përbërë nga lojtarë të shpejtë dhe të mirë teknikisht.

Mezani

“Në këtë ndeshje mendoj se duhet të jemi shumë të përqendruar dhe të kujdesshëm. Për vetë vështirësitë e këtij takimi dhe cilësitë e kundërshtarit nuk mund të humbasim fillin as për një sekondë. Unë theksoj dhe ajo dihet që Luftëtari ka një sulm me lojtarë të shpejtë dhe teknikisht të mirë, ndaj na duhet që ta vlerësojmë maksimalisht këtë ndeshje.

Shkojmë në Gjirokastër për të bërë më të mirën tonë, po natyrisht me respektin ndaj këtij kundërshtari që ka vlerat dhe cilësitë e veta. Duhet që të jemi shumë të vë- mendshëm dhe duhet të dimë të ‘bllokojmë’ sulmin e tyre”, tha fillimisht numri një i pankinës së kurbinasve për “Panorama Sport”.

Mezani deklaron se pikët janë shumë të rëndësishme për vazhdimësinë e ekipit, ndaj kërkon që minimalisht nga kjo transfertë të mos dalin duarbosh.

“Është shumë e rëndësishme për ne që të mos dalim pa pikë nga kjo ndeshje. E kërkoj këtë gjë nga lojtarët, pasi mendoj që në këto momente na duhet shumë vazhdimësia. Pikët janë shumë të rëndësishme për ne”, theksoi vlonjati, i cili mendon se deri më tani, skuadra e tij është në rrugën e duhur. Megjithatë, ai paralajmëron të tijtë që të jenë me këmbë në tokë.

“Skuadra, deri në këto momente, mendoj që më është përgjigjur mjaft mirë. Por, duhet që të qëndrojmë me këmbë në tokë. Duhet të punojmë fort sepse kampionati është shumë i gjatë dhe do të na bënte shumë mirë t’i vlerësonim të gjitha ndeshjet njësoj. Kjo sepse vetëm kështu mendoj se mund të rritemi si skuadër”, përfundoi Mezani.

AXHENDA

Laçi ka përmbyllur dje përgatitjet për ndeshjen e sotme që do të luajë në Gjirokastër përballë Luftëtarit vendës. Ashtu si një ndaj Partizanit, kanë dy mungesa. Sefgjini i pezulluar dhe Soza i dëmtuar, nuk do të jenë sërish të gatshëm. Në kësi kushtesh, stafi teknik do të hedh në fushë të njëjtin formacion fitues, atë që shkaktoi “tërmet” te të kuqtë.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"