Mezani ngel në klasë Nezirajn: Kush hyn, nuk mund të jetë më keq

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 11, 2017 | 16:34

Mezani ngel në klasë Nezirajn: Kush hyn, nuk mund të jetë më keq

Trajneri i Flamurtarit, Gentjan Mezani, beson se një nga problemet kryesore të skuadrës së tij ishte mungesa e përqendrimit, që i shkaktoi humbjen e pabesueshme përballë Vllaznisë. Në “Gol pas Goli”, ai gjithashtu lëshoi një thumbim të qartë ndaj Nezirajt, duke lënë të kuptohet se nuk është aspak i kënaqur me paraqitjen e tij.

mezani

Për ndeshjen e humbur në fund

“Marr shkas që nga ndeshja me Skënderbeun, jo me Luftëtarin. Kishim mungesë përqendrimi edhe me Skënderbeun që 3-4 minutat e fundit pësuam gol. Edhe sot u kam kërkuar përqendrim deri në fund, është defekt që duhet riparuar nga skuadra. Nuk mund të humbim në 10 minutat e fundit. Kishim mundësi në pjesën e parë dhe të dytë, kishim raste për të shënuar me Shehajn, por nuk mundëm. Futbolli ky është, po humbe përqendrimin, kundërshtari të ndëshkon”.

Për luftën për mbijetesë

“Ishte një ndeshje e rëndësishme për ne, sidomos pasi ishte me një kundërshtar direkt si Vllaznia, një pikë larg nesh dhe një ndeshje që të paktën duhej të kishim marrë një barazim. Kishim mundësi edhe ta fitonim këtë ndeshje, dëshira ishte që të merrnim tre pikë në Shkodër, po nuk ia arritëm. Por ka shumë ndeshje, Flamurtari nuk duhet të humbasë më të tilla se secila ka rëndësinë e saj dhe na duhen pikë për të lëvizur nga ky pozicion”.

Për gabimet në mbrojtje

“Unë ia vendos fajin përqendrimit pasi mendoj se Veliu apo Kuqi kanë bërë ndeshje të mira, nuk mendoj se ishte ai problemi sot. Po të them me bindje të plotë se në këto momente kam një qendërmbrojtës brazilian që ka ardhur dy ditë më parë dhe ishte e rrezikshme të luaja me të, se nuk e dija gjendjen fizike të tij, pastaj Beqaj vjen nga dëmtimi. Kjo ishte arsyeja pse në momentet e fundit nuk kam menduar të prek qendrën, por mesfushën, pasi kisha nevojë që t’i jepja një tjetër ritëm me Nezirajn. Por mendoj se ai që hyn, duhet të bëjë diferencën, jo të jetë më keq. Kjo ka çaluar, ndërsa them se nuk mund të pësohet një gol i tillë në minutën e fundit, kur markohet më mirë në mbrojtje”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"