Mezani në debutim, do regjim kazerme për të thyer Teutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2018 | 12:30

Mezani në debutim, do regjim kazerme për të thyer Teutën

Një ditë para sfidës me Teutën, trajneri i sapoulur në pankinën bluzi të Luftëtarit, Gentian Mezani, i cili do të debutojë si trajneri i gjirokastritëve, u ka kërkuar të tijve besim, përqendrim dhe regjim të fortë sportiv. 27 futbollistë nën urdhrat e Gentian Mezanit, përgatitësit atletik, Kosta Kolciadhis dhe përgatitësit të trajnerëve, Jovan Mihajloviç, teksa vrapuan dhe kryen ushtrime të karakterit aerobik patën kohën e duhur për t’u “argëtuar” me sferën e rrumbullakët.

mezani
Ndryshe nga seancat e mëparshme, Mezani dukshëm u përcillte lojtarëve këshillat dhe udhëzimet e njohësit të mirë të mentalitetit të futbollit shqiptar. “Çuna, asgjë më shumë s’u duhet në lojë, qëndrim, besim dhe seriozitet. Çdo sekondë është e vlefshme. Ju për 13-14 sekonda e humbët ndeshjen në Laç, ishit 1-1 dhe u mundët 2-1. Këto gabime nuk falen. Mos humbni kohë, ruani energjitë në fushë, ndihmë reciproke me njëri-tjetrin në çdo repart të lojës. Zotësia juaj është mos t’u lexohet loja nga kundërshtari. Gjithçka bëhet më e lehtë kur ke përqendrimin dhe përkushtimin e duhur”.

Ishin këto fjalët e Mezanit, adresuar lojtarëve të tij në fillimet e lojës me top. Me anglishten ndoshta jo në perfeksion dhe italishten e mirë folur, Mezani hera-herës u drejtohej lojtarëve të huaj, Milosavljev, Radoviç, Dunga e ndonjë tjetri për të bërë kujdes në topin e dytë dhe pasin e fundit. Në një kohë që duheshin më pak se 15-20 minuta nga ndarja e skuadrës në dy formacione, Mezani nuk ngurroi të bënte mjeshtrin e goditjeve standarde.

luftetari
Mbrojtësi dhe mesfushorët morën përsipër mbrojtjen në zonën e portës, ndërkohë nga krahët goditjet standarde dhe kornet mbyllën 90 minutat e seancës së fundit në prag të sfidës me “djemtë e detit”. Gjithsesi, seanca e djeshme u mbyll me një kërkesë të Mezanit: “Djem, pini kafen shpejt e shpejt. Ju dua në shtëpi të gjithëve”.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"