Mezani: Kukësin e respektojmë maksimalisht, vjen i etur për pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2017 | 9:36

Mezani: Kukësin e respektojmë maksimalisht, vjen i etur për pikë

Laçi do ta ketë sot të vështirë përballë Kukësit, edhe pse luan në shtëpi. Në një prononcim të dhënë dje për “Panorama Sport”, trajneri i Laçit, Gentjan Mezani, thotë se Kukësi vjen sot i etur për pikë, për shkak se vjen nga një humbje.

Mezani

“Me Kukësin do të jetë një ndeshje e vështirë. Mendoj kështu, pasi Kukësi ka nevojë për pikë. Kundërshtari ynë vjen nga një humbje dhe natyrisht që do të kërkojë të bëjë më të mirën dhe të marrë maksimumin. Por, edhe ne e kemi vlerësuar maksimalisht këtë takim. Është një ndeshje që siç thashë, do të jetë e vështirë, por edhe ne do të bëjmë më të mirën. Normalisht që deri më tani kemi bërë mirë, por kemi ende shumë punë për të bërë”, tha Mezani.

Trajneri vlonjat i Laçit thotë se e vlerëson maksimalisht Kukësin për atë që përfaqëson dhe që ka bërë deri më tani. Por, Mezani është i bindur se nëse ekipi i tij do të bëjë maksimumin në fushë, do të marrë një rezultat pozitiv.

“Kundërshtari ka respektin tonë maksimal. Kukësi është një ekip që ka bërë mirë, është kampioni në fuqi dhe natyrisht që ka objektivat e veta dhe vjen këtu për të bërë më të mirën. Normalisht që do të jetë një ndeshje e vështirë, por ne kërkojmë maksimumin. Maksimalisht vlerësojmë çdo kundërshtar dhe për ne, çdo ndeshje është shumë e rëndësishme.

Ne e kemi vlerësuar shumë këtë ndeshje dhe do të bëjmë më të mirën për të marrë fitoren. Nëse secili bën siç duhet detyrën e tij, natyrisht që unë mendoj se mund të marrim shumë në takimin me Kukësin”, tha Mezani.

Edhe sot Laçi nuk do të ketë ende të gatshëm Sozën dhe Sefgjinin. “Për fat të keq do të kemi dy mungesa të rëndësishme. Soza dhe Sefgjini ende nuk janë rikuperuar plotësisht për të qenë nga fillimi. Gjithsesi, unë kam shumë besim se djemtë që kam në dispozicion, do të japin më të mirën e tyre”, përfundon Mezani.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"