Mezani kërkon kohë për të njohur ekipin e ri: Dua triumfin ndaj Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2017 | 10:35

Mezani kërkon kohë për të njohur ekipin e ri: Dua triumfin ndaj Vllaznisë

Gentjan Mezani kërkon që ta nisë mbarë debutimin e sotëm te skuadra e Laçit, e cila para disa ditësh u nda me ish-trajnerin Stavri Nica. Trajneri vlonjat do të jetë sot në pankinë, ndërsa Vllaznia e Shkodrës është kundërshtari i parë me të cilin do të ndeshet skuadra kurbinase.

Mezani

Në një prononcim të dhënë dje për “Panorama Sport”, trajneri Gentjan Mezani ka theksuar se dëshiron të ketë një ndeshje debutuese pozitive.

Ish-trajneri i Flamurtarit tha se Vllaznia është një ekip për t’u vlerësuar maksimalisht, ndërsa shpreson që të dalë me sukses nga kjo përballje. “Vllaznia është një ekip për t’u vlerësuar. Natyrisht që kjo ndeshje është debutuese për mua si trajner i ri i Laçit. Në këto kushte, unë dua që dal me sukses, duke marrë një rezultat pozitiv”, tha fillimisht Mezani.

Mezani Flamurtari stervitje 2017

I pyetur se cili është objektivi apo rezultati që dëshiron të marrë në ndeshjen e sotme, trajneri Mezani deklaroi se çdo ndeshje duhet vlerësuar maksimalisht. “Unë them se për mua dhe për ekipin, objektivi është ndeshja e radhës. Pra, na duhet që të marrim maksimumin në çdo takim.

Edhe në ndeshjen me Vllazninë dua maksimumin”, u shpreh trajneri vlonjat. Mezani flet edhe për ditët e para te Laçi. “Është një skuadër me djem të rinj, por edhe me lojtarë me eksperiencë. Janë futbollistë që kanë dëshirë, por edhe marrin përgjegjësi mbi vete. Dua edhe pak kohë që ta njoh më mirë ekipin”, u shpreh Mezani.

Mezani Flamurtari 2017

Laçi edhe në këtë takim me Vllazninë do të vuajë mungesën e sulmuesit Arturo Rexhinaldo. Ish-sulmuesi i Luftëtarit ka qenë i pafat në aventurën e re te Laçi, pasi pësoi një dëmtim, i cili e ka mbajtur jashtë fushave të blerta në këtë fillim kampionati.

Laci

Ndërprerja e kampionatit i vjen në ndihmë Rexhinaldos për t’u riaftësuar, pasi edhe vetë lojtari e ka shprehur se është pranë rikthimit, kështu që Vllaznia pritet të jetë ndalesa e tij e fundit. Ndërsa pjesa tjetër ekipit është e gatshme për trajnerin Mezani.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"