Mezani i ka orët e numëruara, Idrizi e ka piketuar zëvendësuesin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2017 | 9:48

Mezani i ka orët e numëruara, Idrizi e ka piketuar zëvendësuesin

Kaos te Flamurtari, trajneri Gentjan Mezani rrezikon të shkarkohet pas humbjes së djeshme në Shkodër. Burime të sigurta të “Panorama Sport” pranë klubit kuqezi kanë treguar dje se administratori Sinan Idrizi ka njoftuar stafin teknik dhe drejtuesit e tjerë për një mbledhje urgjente që pritet të zhvillohet sot në Vlorë, në orën 10:00.

Mezani Flamurtari 2017

Situata jo e mirë në renditje, ku Flamurtari rrezikon seriozisht rënien nga Kategoria Superiore, por edhe fakti që skuadra nuk ka asgjë të sigurtë për kualifikimin në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, ka bërë që Idrizi të mendojë ndryshime. Në fakt, pas ndeshjes me Luftëtarin, ku vlonjatët fituan 2-1, kreu i klubit kishte dhënë një mesazh të qartë: “Mundni Vllazninë dhe kualifikoheni në Kupë”.

Ultimatumi i Idrizit mori goditjen e parë në Shkodër, pasi skuadra humbi në sekondat e fundit, në një ndeshje që edhe mund ta kishte fituar. Megjithatë, në Vlorë gjithnjë gjërat janë të paparashikueshme dhe pa u marrë ende një vendim për trajnerin Mezani, kanë nisur të përmenden emra që mund të pasojnë largimin e kreut aktual të pankinës.

Partizani-Flamurtari 0-0, Shpetim Duro ne kembe

Të njëjtat burime i thanë dje gazetës se drejtuesit do të bisedojnë me trajnerin Shpëtim Duro, në rast se sot vendosin që të bëjnë ndryshime në pankinë. Gjithsesi, kjo mbetet për t’u parë, në një kohë që skuadra është në prag të ndeshjes së kthimit të Kupës me Besëlidhjen në Lezhë, më 15 shkurt.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"