Mezani: Flamurtari bëri mirë që po aktivizon lojtarë vlonjatë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2020 | 21:16

Mezani: Flamurtari bëri mirë që po aktivizon lojtarë vlonjatë

Gentjan Mezani është rikthyer në Vlorë që pas ndërprerjes së aktiviteteve në muajin mars. Trajneri i Gjilanit në Superligën kosovare, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, tregon për këtë situatë të paprecedentë që po kalojnë të gjithë, ndërsa komenton edhe krizën financiare që ka kapluar klubet. Ai thekson se në skuadrën që drejton nuk ndihet aspak kjo krizë, duke bërë edhe diferencën që ka aktualisht kampionati shqiptar me atë kosovar. Mezani komenton gjithashtu momentin e errët që po kalon klubi vlonjat.

mezani veliu
Gentian Mezani duke u stërvitur në Vlorë me Franc Veliun

Mezani, si po e kaloni këtë situatë?
Unë jam në Vlorë prej më shumë se një muaji. Po i zbatojmë rregullat, sepse është shumë e rëndësishme që të jemi të gjithë të angazhuar për të dhënë pak mbështetje në këtë sfidë të njerëzimit.

Çfarë ju kanë thënë nga klubi dhe kur mund të nisë kampionati kosovar dhe stërvitjet e ekipeve?
Jemi në komunikim të përditshëm me klubin dhe jemi në pritje për vazhdimin e stërvitjeve në grupe. Por edhe në Kosovë ashtu si në Shqipëri janë rregullat, të cilat akoma nuk lejojnë stërvitjet në grupe. Shpresojmë që shpejt të ndryshojë situata për mirë dhe të rinisim stërvitjet dhe zhvillimin e ndeshjeve të mbetura për këtë vit.

Cilët lojtarë të Gjilanit që kanë luajtur në Superiore kanë mbetur në Kosovë?
Kanë mbetur disa lojtarë, por nga ata që njihen më tepër prej kampionatit shqiptar janë Erlis Frashëri dhe Tomislav Bushiç.

Sa ndikon kjo ndërprerje te futbollistët?
Është një situatë jonormale dhe duke parë që sporti i futbollit është kolektiv, stërvitja individuale është vetëm për t’u mbajtur në formë, sepse në këto momente që flasim mendoj që të gjithë e kanë humbur ritmin e lojës.

Si komunikon me lojtarët në këtë situatë për t’i kontrolluar rreth asaj që bëjnë?
Me futbollistët lidhemi nëpërmjet aplikacioneve që na mundësohen në internet dhe qëndrojmë në kontakte çdo ditë, duke dhënë udhëzime për seancat stërvitore.
mezani veliu 3
Në Vlorë gjendet edhe mbrojtësi vlonjat i Gjilanit, Franc Veliu…
Po, takohemi çdo ditë. E shfrytëzojmë për të zhvilluar përgatitje aq sa na lejon koha dhe terreni. Në Shqipëri ka probleme të mëdha financiare thuajse në shumicën e klubeve elitare.

Si është situata në Kosovë?
Nuk e di për skuadrat e tjera, sepse të them të vërtetën nuk është se jam interesuar për këtë gjë, por unë mund të flas vetëm për Gjilanin. Ne kemi një president që është tej mase korrekt dhe nuk kemi probleme të tilla. Pikërisht korrektësia e tij ka bërë që deri tani të jemi të qetë dhe të punojmë me përkushtim për të arritur objektivin.

Mendoni se kampionati, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, duhet të fillojë aty ku u ndërpre apo keni ndonjë ide tjetër?
Mendoj dhe shpresoj shumë që të fillojë përsëri dhe sa më shpejt, sepse shumë klube kanë bërë investime këtë vit dhe ndoshta në këto momente nuk janë në objektiva. Në lojë janë shumë pikë akoma, gjë që do t’u jepte mundësinë ta arrinin këtë objektiv. Por pa u qetësuar kjo situatë, mendoj që në radhë të parë duhet të kujdesemi për shëndetin tonë dhe të afërmve.
sukaj-flamurtari
E prisnit këtë rrënim të Flamurtarit dhe si e parashikoni të ardhmen?
Flamurtari këtë vit pa diskutim që nuk është ai i viteve të shkuara, por mendoj që ka luajtur ndeshje shumë të mira. Po ashtu, gjëja më e mirë që ka bërë sivjet në krahasim me vitet e tjera është se u ka dhënë mundësinë më shumë të rinjve vlonjatë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"