Mezani fitoi “bastin” me Dungën, zbulohet biseda para sfidës ndaj Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2018 | 15:36

Mezani fitoi “bastin” me Dungën, zbulohet biseda para sfidës ndaj Tiranës

Katër pikë në dy ndeshjet e fundit kanë rikthyer qetësinë te Luftëtari. Pas ditëve të trazuara në klub, me lojtarët që dukshëm ishin të dëshpëruar për faktin se prej tre muajsh nuk paguheshin, tashmë në Gjirokastër kanë nisur të buzëqeshin. Dje drejtuesit mbajtën premtimin duke kaluar në bankë një nga tri pagat.

Mezani

Fitorja ndaj Tiranës erdhi në momentin e duhur për skuadrën e Gentian Mezanit, i cili me lëvizjet e tij gjatë ndeshjes surprizoi jo pak. Fillimisht me formacionin, teksa uli në stol Liçajn dhe besoi te Demo për krahun e djathtë të mbrojtjes. Por lëvizja më befasuese gjatë lojës ishte zëvendësimi i fanazistit Rroca me sulmuesin kenian, Ismael Dunga.

Një “bast” i rrezikshëm, por që në fund i dha të drejtë trajnerit, pasi ishte keniani ai që zgjidhi ndeshjen me bardheblutë. Duke parë rënien fizike të Rrocës, i cili vjen pas një dëmtimi të gjatë, Mezani guxoi për të hedhur në fushë një sulmues të mirëfilltë, pasi kërkonte me çdo kusht të fitonte takimin. “Panorama Sport” zbulon nga burime pranë ekipit se përpara fillimit të ndeshjes, Mezani ka pasur një takim me lojtarin.

Dunga Luftetari

“Përgatitu për të luajtur sot.Do aktivizohesh në pjesën e dytë dhe do të shënosh”, mësohet t’i ketë thënë Mezani sulmuesit kenian. Ky i fundit ka qeshur dhe i ka kthyer këtë përgjigje trajnerit: “Më fut në fushë një herë, pastaj për golin nuk e di. E di vetëm Zoti”. Dunga doli në nxehmje që në mesin e pjesës së parë, ndërsa u fut në fushë në minutën e 65-të. Pasi shpërdoroi një mundësi të artë vetëm tre metra larg portierit, sulmuesi arriti të kthente në gol pasimin e Milosavljev në minutën e 88-të. Dhe çfarë goli! Në kohën e duhur, duke i dhënë tri pikë Luftëtarit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"