Mezani eviton polemikat me ish-skuadrën, Laçi me sytë nga Rexhinaldo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2017 | 11:07

Mezani eviton polemikat me ish-skuadrën, Laçi me sytë nga Rexhinaldo

Gentjan Mezani, në heshtje shtypi. Trajneri i Laçit, që sot do të përballet me të shkuarën e tij, ka vendosur që të mos flasë përpara ndeshjes me Flamurtarin. Mezani nuk dëshiron që të krijojë polemika apo keqkuptime përpara kësaj ndeshjeje, ku për herë të parë në karrierën e tij si trajner do të jetë kundërshtar me Flamurtarin.

Mezani Flamurtari 2017

I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, trajneri Mezani u shpreh: “Jam në heshtje shtypi. Nuk do të flas përpara kësaj ndeshjeje. Ju lutem më mirëkuptoni!”, tha dje Mezani. Ndërkaq, Gentjan Mezani do të përballet sot me të shkuarën e tij. Ai ka drejtuar për dy herë Flamurtarin, duke e marrë ekipin në kushte jo të mira dhe u cilësuar edhe si trajneri “i emergjencave”. Por, fakti që Flamurtari është në Superiore, sot është edhe për meritë të Mezanit. Për të mos pasur keqkuptime, trajneri ka vendosur që të mos flasë.

ANALIZA

Në analizën e djeshme me skuadrën, trajneri Gentjan Mezani ka kërkuar një ekip sa më sulmues. Mësohet se trajneri vlonjat u ka thënë lojtarëve që të kërkojnë sa më shpejt avantazhin dhe të jenë të përqendruar sa më shumë në sulm.

Laçi do të ketë sot një ekip të plotë përballë Flamurtarit. Edhe Kejvi Bardhi, që u dëmtua në ndeshjen me Skënderbeun, e ka kaluar dëmtimin dhe për takimin e sotëm është i gatshëm, por gjasat janë që të nisë nga stoli. Të gjithë lojtarët e tjerë do të jenë nën urdhrat e trajnerit Mezani për takimin e sotëm me Flamurtarin.

GRUMBULLIMI

Ekipi i Laçit është grumbulluar që prej ditës së shtunë në Fushë-Krujë. Për të qenë sa më të qetë lojtarët për takimin e sotëm dhe për të marrë një rezultat pozitiv, prej dy ditësh janë zhvendosur në Fushë-Krujë ku edhe janë stërvitur. Dje Laçi ka mbyllur përgatitjet me një seancë stërvitore, e cila është zhvilluar rreth orës 15:00.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"