Mezani: Është kënaqësi ku rezultati shoqërohet me lojë të mirë, lojtarët mësojnë shpejt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2017 | 12:02

Mezani: Është kënaqësi ku rezultati shoqërohet me lojë të mirë, lojtarët mësojnë shpejt

Pas humbjes me Skënderbeun dhe barazimit me Flamurtarin, Laçi është kthyer te fitorja. Skuadra e drejtuar nga Gentian Mezani ka bindur duke thyer edhe tabunë e fushës së stadiumit “Roza Haxhiu”, pasi fituan 3-0 ndaj Lushnjës. Për teknikun vlonjat ka qenë fitorja e dytë, që nga momenti kur mori drejtimin e laçianëve. Tashmë, entuziazmi është i qartë në kampin bardhezi.

Mezani

“Normalisht ne duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Ndaj Lushnjës ishte një ndeshje e mirë do të thosha për skuadrën e Laçit. Mbi të gjitha na kënaq rezultati, sepse në këtë moment që jemi na duhen pikët. Normalisht që në çdo ndeshje futemi për të marrë maksimumin e pikëve, siç e kam theksuar që në fillim kur kam marrë drejtimin e skuadrës.

Por, kur merret një rezultat pozitiv me një lojë të mirë, do të thotë që është kënaqësi. Jemi të kënaqur si staf, por edhe futbollistët. Mbi të gjitha kënaqet edhe tifozëria e Laçit”, u shpreh tekniku vlonjat i bardhezinjve, pas fitores me Lushnjën. Arma më e fortë e Laçit është kundërsulmi që tekniku Mezani ka kërkuar ta injektojë te skuadra e tij.

“Ishte diçka që e kemi punuar, sepse kishim probleme tek ajo pjesë. Janë djem të rinj dhe normalisht, do të thosha që i kanë të vështira në të ditur, por jo në të thithur, në t’i bërë veprimet kur i mësojnë. Për mua bëhet më e thjeshtë për t’ua mësuar këtë gjë”, vijoi Mezani, i cili kërkon që të ruhet ecuria edhe në javët në vijim. Lushnja është kundërshtar i Laçit edhe për raundin e dytë të Kupës, kompeticion, i cili është në objektivat e kurbinasve për këtë sezon.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"