Meta vlerëson Agim Fagun me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në 70 vjetorin e lindjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2017 | 21:28

Meta vlerëson Agim Fagun me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në 70 vjetorin e lindjes

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vlerësoi dje me një ceremoni solemne basketbollistin dhe diplomatin e shquar Agim Fagu, duke i akorduar dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me motivacionin: “Me mirënjohje dhe vlerësim të thellë për veprën dhe kontributin madhor që ka dhënë për ngritjen e sportit të basketbollit në nivelet më të larta ndërkombëtare, si personalitet i shquar në njohjen dhe lartësimin e vendit tonë në botë”.

23

Duke iu drejtuar të pranishmëve të shumtë, mes të cilëve familjarë, kolegë, ish-presidenti Alfred Moisiu, deputetë, politikanë, akademikë, diplomatë dhe gazetarë, presidenti Meta theksoi në fjalën e tij:

“Pak ditë më parë, mora një kërkesë të nënshkruar nga personalitete të jashtëzakonshme të jetës institucionale të sportit, kulturës, arsimit në mënyrë të veçantë që udhëhiqej nga presidenti Moisiu ku mua më bëri përshtypje një apel brenda kërkesës dhe vlerësimit për këtë figurë dhe personalitet të jashtëzakonshëm ku thuhej ‘Zoti President ka dekorata që nderojnë njerëzit, por ka dhe njerëz që nderojnë dekoratën dhe Agim Fagu është pikërisht një i tillë.

Jam i bindur se dekorata e lartë ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’, ashtu edhe personaliteti i Agim Fagut, nderojnë më së miri njëra-tjetrën. Kjo figurë e jashtëzakonshme dhe komplekse ndërthur si rrallë dhe në mënyrën më të shkëlqyer figurën e sportistit të niveleve më të larta europiane dhe botërore me atë të qytetarit, intelektualit dhe të diplomatit të shkëlqyer”, nënvizoi presidenti Meta duke vënë në pah disa nga pikat kulmore të sportistit, diplomatit, edukuesit e pedagogut dhe figurës së spikatur intelektuale të zotit Fagu ndër dekada.

2

“Personaliteti i tij ka shkëlqyer në mënyrë të veçantë gjatë detyrës si Ambasador në Mbretërinë e Bashkuar, ku angazhimi dhe bashkëpunimi i tij me qeverinë britanike, e cila kishte një rol udhëheqës për zgjidhjen e krizës së Kosovës, ka qenë i jashtëzakonshëm, ashtu sikurse e jashtëzakonshme ka qenë dhe paraqitja e tij në mediat më të njohura britanike dhe botërore në mbrojtje të kauzës së Kosovës.

Ashtu sikurse mund të dëshmoj jo vetëm unë, por edhe shumë kolegë të tjerë këtu që kanë punuar me të në Ministrinë e Punëve të Jashtme apo të Mbrojtjes për rolin e tij të jashtëzakonshëm dhe plot pasion për përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO duke drejtuar në Ministrinë e Jashtme drejtorinë për NATO-n.

Do të doja të vlerësoja dhe kontributin e tij në fushën e arsimit e të edukimit ku ai ka shërbyer në vitet e para pas diplomimit dhe është e qartë se ai kudo ka qenë i shkëlqyer si nxënës, student, mësues, pedagog dhe si diplomat”, u shpreh Presidenti i Republikës. Më pas, u shfaq një dokumentar mbi jetën dhe veprimtarinë sportive të Agim Fagut.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"