Mesi te Komo dhe Ronaldo te Parma, transferimet e dështuara të merkatos që “shpëtuan” futbollin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2017 | 17:56

Mesi te Komo dhe Ronaldo te Parma, transferimet e dështuara të merkatos që “shpëtuan” futbollin

Bëhet fjalë për disa transferime që në ditët e sotme do të etiketoheshin si të çmendura, por që për fatin e mirë të sportdashësve nuk kanë ndodhur. Gjithçka ka qenë e vërtetë: shifrat, akordet, shtrëngimet e duarve, por në fund të gjithë e dimë: Kjo është merkatoja. Aty ku ndodhin skenarët më të çuditshëm dhe ku lojtarët për çështje sekondash vendosin të anulojnë gjithçka. Kush e di se çfarë do të kishte ndodhur nëse këto tratativa do të ishin mbyllur…

mesi

Një “Mesi” për liqenin Komo

Ta mendosh sot të futen të dridhurat. Në vitin 2002, Renato Favero, zbuluesi i talenteve të ekipit të Komos, i paraqet presidentit Enriko Preciozi një fenomen 14-vjeçar. Emri i tij ishte Lionel Mesi dhe Italia dukej se ishte shkruar në fatin e tij. Aftësitë teknike të lojtarit ishin të shkëlqyera, por fiziku e penalizonte. Preciozi mendohet dhe në fund merr vendimin e hidhur: 50 mijë dollarë për një minoren ishin shumë, sipas tij, edhe pse ishte i talentuar.

“Ishte shumë i zoti, por nuk kishte një fizik për kampionatin italian. Siç ndodh shpesh, bëhen edhe gabime”, komenton në këto ditë Preciozi, ndërkohë që “kafshon gjuhën” kur shikon Mesin tek ekipi i Barcelonës. Gabime ndodhin, por këto janë të pafalshme.

Për faj të një miqësoreje

Zbulimi vjen nga Arigo Saki: “Kur isha drejtor teknik i Parmës, kërkonim të blinim Kristiano Ronaldon nga ekipi i Sportingut të Lisbonës”. Dhe në 2003 ata e kishin në dorë talentin portugez, pasi marrëveshja ishte arritur për 11 milionë euro, mungonte vetëm firma. Por merkato sapo kishte filluar, përse të nxitonin?

ronaldo

Më përpara ishte një miqësore, e madhe për një klub si Sportingu: Mançester Junajtid-Sporting Lisbona. Por kur Ronaldo prekte topin, Fergusonit i shkëlqenin sytë. Në fund të ndeshjes, trajneri skocez e merr Ronaldon dhe i thotë: “Ti do luash me ne”. Kështu që lamtumirë Parma. Çfarë mëkati: Do të kishte ndarë goditjet e dënimit me Adrianon, do t’i kishte dhuruar asist Xhilardinos…

Mrekullia Kievo

Kievos së mrekullive i pëlqente të ëndërronte. Në turnin e parë të Ligës së Europës dhe Kievo mund të luante në sulm me dyshen Drogba-Marazina. Ish-drejtori sportiv i asaj kohe, Kampadeli, akoma në ditët e sotme, nuk ia fal vetes. “Drogba? Për 500 mijë euro ishte i yni, por Lacio u tërhoq për blerjen e Eribertos dhe kështu ne nuk kishim mundësi ta blinim”.

Jaja Ture te Modena

Doriano Tosi, drejtori gjeneral i Modenës, ishte impresionuar nga një 20-vjeçar që quhej Jaja Ture. “Ai ishte i mahnitshëm, luante në të gjitha pozicionet e mesfushës dhe kishte një fizik që nuk e kisha parë ndonjëherë”. Marrëveshja ishte arritur për një huazim me të drejtë blerjeje dhe lojtari ishte dakord.

“Më pas, ukrainasit e Metalur Donjetsk bënë një ofertë prej 2 milionë eurosh, shifër që nuk mund të përballohej nga ekipi ynë që sapo kishte siguruar kualifikimin në Serinë A”.

“Vëlla, më merr te Torino”

Klasi lind, nuk mund të mësohet. Ronaldinjo e zbuloi këtë gjë tek ekipi i Porto Alegres, por ai ishte shumë pranë transferimit në Itali. Vëllai i tij i madh, Roberto de Asis bëri një provë te Torino në vitin 1988. Dinjo ishte vetëm 8 vjeç, por i kujtohet shumë mirë ajo periudhë.

“Mund të isha një lojtar i Torinos: Vëllai im bëri një provë për ekipin e Torinos. Ajo provë mund të ndryshonte jetën tonë, pasi familja ime ishte gati të transferohej në Itali”. Por Gremio ndaloi gjithçka: Roberto de Asis nuk do të shkojë në Itali, kështu që Ronaldinjo qëndron në Brazil.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"