Mesi refuzon ofertën e Nejmar, edhe PSG ruan misterin e numrit të ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2021 | 17:57

Mesi refuzon ofertën e Nejmar, edhe PSG ruan misterin e numrit të ri

Lionel Mesi do të vazhdojë karrierën e tij te PSG, duke krijuar nëj ekip ëndrrash në Paris, me objektivin për të triumfuar në Europë. Por pikërisht prania e shumë yjeve në skuadër ka bërë që tashmë të ketë edhe përplasje sa u përket numrave të fanellave.

mesi

Normalisht, Mesi do të kishte mbajtur numrin 10, me të cilin është identifikuar thuajse gjatë gjithë karrierës. Por ai numër mbahet nga Nejmar te PSG. Mediat franceze raportojnë se braziliani kishte shprehur gatishmërinë ta lëshonte këtë numër për mikun e tij argjentinas, me Mesin që e kishte refuzuar diçka të tillë duke bërë të qartë se do të mbante një numër të ri.

Në vitet e parë të karrierës, dy numrat e tij kanë qenë 19 dhe 30, që ai i ka mbajtur edhe te Barcelona, por te PSG ka një problem sa i përket numrit të dytë, pasi ai lejohet vetëm për portierë sipas rregulloreve të Ligës 1. Parisienët kanë bërë kërkesë për përjashtim, që të kenë çdo lloj opsioni deri në momentin që argjentinasi të vendosë. Ndërkaq, edhe në videon që ka hedhur në rrjetet sociale për të lajmëruar afrimin e Mesit, klubi ka nxitur imagjinatën e tifozëve duke postuar një flamur argjentinas përkrah fanellës 7 të Mbape dhe 10 të Nejmar.

Gjithsesi, duket se tifozët janë shumë të bindur se numri që do të përdorë do të jetë 19, e disa prej tyre janë shfaqur sot para stadiumit pikërisht me këtë numër në shpinë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"