Mesi nuk ndalet, 17 gola larg “fronit” të Pelesë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2020 | 9:26

Mesi nuk ndalet, 17 gola larg “fronit” të Pelesë

Edson Arantes do Nashimento, i njohur si Pele, do ta marrë vesh që Lionel Mesi shënoi 4 gola në ndeshjen kundër Eibarit dhe për rrjedhojë është larg vetëm 17 gola nga rekordi që mban legjenda braziliane, për t’u bërë lojtari me më shumë gola me një skuadër. Rekord që deri tani e ka mbajtur Pele me 643 gola me fanellën e Santosit. 

thumbnail

Ai është i pathyeshëm prej 5 dekadash, por tani po dridhet dhe e ndien shumë afër rifreskimin. Një djalosh nga Argjentina, i cili ka lindur në Rozario përpara 32 vitesh është gati që të vendosë emrin në një rekord unik. Leo Mesi për momentin ka shënuar 626 gola me fanellën e Barcelonës në 715 ndeshje, mesatarisht 0.87 gola për ndeshje. “Pleshti” ka realizuar 436 gola në La Liga, 114 në Champions, 53 në Kupën e Mbretit, 14 në Superkupën e Spanjës, 5 në Botërorin e Klubeve dhe 3 në Superkupën e Europës.

Mesi54

Të shtunën në mbrëmje “firmosi” për herë të gjashtë në karrierë “pokerin” me Barcelonën. Për më tepër, ai ka shënuar 41 “hat trick” me katalanasit në karrierën e tij. Leo Mesi është golashënuesi i kampionatit spanjoll me 18 gola, 5 më shumë sesa sulmuesi i Realit të Madridit, Benzema që ka shënuar 13 gola. Kjo do të thotë se argjentinasi po ecën i sigurt drejt një tjetër triumfi si golashënues i kampionatit. Leos i kanë mbetur minimalisht 15 ndeshje për të mbyllur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme. Kjo do të thotë se mund ta thyejë rekordin e Pelesë në vitin 2020, ose do ta rrëzojë nga froni në sezonin e ardhshëm. Ajo që diskutohet është vetëm koha, por jo fakti që Leo Mesi do të jetë lojtari me më shumë gola me një skuadër. Por kujdes, thashethemet e fundit thonë se mund të largohet nga katalanasit, edhe pse ai vetë është i përqendruar dhe i lumtur te Barcelona.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"