Mesi humbet Lajpcigun, Poçetino: Shpresojmë të rikthehet së shpejti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2021 | 10:48

Mesi humbet Lajpcigun, Poçetino: Shpresojmë të rikthehet së shpejti

Lionel Mesi është mungesa e madhe e PSG-së në sfidën e sotme kundër Lajpcigut. Sulmuesi argjentinas ka pësuar një tërheqje muskulore dhe nuk është grumbulluar në listën 21-emërore të Mauricio Poçetinos për sfidën e sotme.

POCETINO MESI

Përveç problemit muskulor, sulmuesi 34-vjeçar ka edhe një dhimbje në gju. Shqetësimet fizike të “Pleshtit” u panë që përpara humbjes së PSG-së kundër Lilës javën e shkuar.

Megjithatë, ish-numri 10 i Barcelonës mori dritën jeshile për të qenë në fushë titullar në atë ndeshje, ku “L’Equipe” i vuri notën 3 për paraqitjen e dobët.

Gjashtë herë fituesi i “Topit të Artë” ishte praktikisht inekzistent në pjesën e parë, përpara se Poçetino ta zëvendësonte. Ai ka pesë ndeshje që nuk shënon apo jep asist në kampionat, duke bërë nisjen më të dobët të një sezoni në 15 vite karrierë.

E shpëton vetëm Europa, me 3 gola në po kaq ndeshje. “Nëse ke një lojtar si Mesi në skuadër, je automatikisht më i fortë”, tha Xhorxhino Vajnaldum në konferencën e djeshme kur u pyet nëse do të ndihet mungesa e sulmuesit, i cili shënoi dy gola në përmbysjen 3-2 kundër gjermanëve 2 javë më parë.

Ndërsa trajneri argjentinas tha: “Çdo ndeshje ka vështirësitë e saj. Ne e dimë që ndaj Lajpcigut do të jetë sërish e ndërlikuar, sepse ata janë një skuadër e fortë.

Shpresojmë që Mesi të rikthehet së shpejti”. Francezët kryesojnë Grupin me 7 pikë pas 3 ndeshjesh, +1 nga finalistët e sezonit të shkuar, Mançester Siti. Ndërsa skuadra e Xhesi Marshit nuk ka fituar ende pikën e parë pas gjysmës së ndeshjeve të grupit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"