Mesi është kursyer, do kupën me Argjentinën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2014 | 20:39

Mesi është kursyer, do kupën me Argjentinën

MesiNëse sot Leo Mesi nuk konsiderohet ende lojtari më i mirë në histori, kjo sepse i mungon trofeu më i rëndësishëm në palmares, kupa e botës. Pavarësisht se Diego Armando Maradona heq paralele me yllin e Barcelonës sa i përket talentit të tyre, legjenda e ka pranuar se mungesa e një kupe bote me Argjentinën do t’u japë kritikëve argumente për të vënë në dyshim statusin e kapitenit të Argjentinës. S’janë të paktë as ata që mbrojnë teorinë konspirative se fituesi i katërfishtë i “Topit të Artë” ka ulur qëllimisht rendimentin me Barcelonën në sezonit e fundit për të qenë i freskët për Botërorin. Në Brazil analistët i shohin deri në finalen e Botërorit, madje formati i përplas në një finale klasike me organizatorët e Brazilit. Bardhekaltrit e Alehandro Sabejës mund të quhen pa frikë skuadra me sulmin më të frikshëm në Botëror: Lionel Mesi, Serxho Aguero, Gonzalo Higuain, Ezekiel Laveci dhe Rodrigo Palasio janë emrat që përhapin panik edhe për mbrojtjen më të fortë në botë. Kur një gjë të tillë e pranon edhe Tiago Silva: “Për të ndalur Mesin do të më duhet një pistoletë!”
Golat Në listën speciale të golave historikë të Botërorit ka dy argjentinas: Hektor Jazalde, i cili realizoi golin jubilar të 900-të në Kupën e Botës në “Gjermani 1974”, dhe Klaudio Kanixha, i cili shënoi golin numër 1.500 në “SHBA 1994”.
Lojtarë/trajnerë Katër është numri i argjentinasve që kanë marrë pjesë në një Botëror si lojtar dhe trajner. I pari ishte Guijermo Stabile, finalist në Botërorin e parë të 1930-ës dhe në stol në Botërorin e 1958-ës. Në “Gjermani 1974”, “La Albiceleste” kishte në stol Vladislao Kap, i cili në Botërorin e 1962-shit ishte në fushë. Të fundit ishin Daniel Pasarela, kampion bote në vitin 1978, por prezent edhe në “Spanjë 1982”. Pastaj ishte në stol në edicionin “Francë 1998”. Dhe e mbyll Diego Armando Maradona. “Dora e Zotit” luajti si futbollist në turnetë nga 1982-1994 dhe drejtoi kombëtaren nga pankina në “Afrikë e Jugut 2010”. Por shkarkimi pas eliminimit 4-0 në çerekfinale nga Gjermania i djeg ende Maradonës, i cili edhe sot e kësaj dite është në një luftë të hapur me drejtuesit e federatës.
Rekordet Argjentina është e vetmja kombëtare që në një Botëror të vetëm ka fituar numrin më të madh të ndeshjeve me penallti (çerekfinalet dhe gjysmëfinalet në “Itali 1990”). Por, dy herë kampionët e botës janë gjithashtu një nga katër kombëtaret së bashku me Brazilin, Gjermaninë dhe Italinë, të cilat kanë kaluar shifrën e 100 golave të shënuar në historinë e finaleve të Kupës së Botës. Golin jubilar (të 100-të) e shënoi Klaudio Lopez, 4 korrikun e 1998-ës, kur Holanda i eliminoi 2-1 në çerekfinalet e Botërorit të Francës.

Kapiteni qetëson tifozët: Jemi gati për të triumfuar!
Ai udhëhoqi Argjentinën në fitoren 2-0 kundër Sllovenisë, por problemet me shëndetin trembën sërish jo pak kampin e Sabejës. Mesi volli sërish në fushë dhe iu morën mendtë nga temperaturat e larta, duke shqetësuar jo pak ata që kanë varur shpresat se ky do jetë Botërori i tij. Por, kapiteni 26-vjeçar i ka qetësuar të gjithë. Pas fitores në Buenos Aires, ku ai shënoi golin e dytë pasi Riki Alvarez kishte realizuar në të parën, sulmuesi tha: “Unë mezi po qëndroja në stol dhe doja të hyja në fushë. Sabeja ka ndërtuar një frymë skuadre, tek e cila besojmë shumë. Jemi të gjithë të emocionuar dhe tani erdhi çasti i të vërtetës. Do të shkojmë në Brazil shumë të karikuar. Me këta lojtarë që kemi mund të arrijmë suksesin, por gjithçka duhet ta marrim hap pas hapi”. Argjentina e nis rrugëtimin e saj drejt yllit të tretë më 15 qershor në ndeshjen e parë kundër Bosnjë Hercegovinës.

STATISTIKAT E PËRFAQËSUESES
Marrin pjesë që në edicionin e parë të Botërorit dhe shkojnë në dhomat e zhveshjes me avantazhin 2-1 ndaj organizatorëve të Uruguait në finale, të cilët në fund i përmbysin 4-2. Eliminohen që në raundin e parë më 1934-ën dhe rikthehen në Botëror pas 24 vitesh, në turneun e Suedisë, por nuk kalojnë fazën e parë, ashtu siç ndodhi edhe në 1962-in. Shkojnë deri në çerekfinale në Botërorin e Anglisë, por organizatorët ishullorë i eliminojnë për të fituar më pas të vetmen Kupe Bote. Mungojnë në Botërorin e 1970-ës, ndërsa në Gjermani katër vite më vonë eliminojnë Italinë dhe mbërrijnë deri në fazën e dytë. Në 1978- ën organizojnë Botërorin dhe i shkojnë deri në fund me suksesin në finale 3-1 ndaj Holandës (në shtesë). Në Botërorin e Spanjës u eliminuan nga Italia në fazën e dytë, por në 1986-ën fitojnë titullin e dytë të udhëhequr nga Maradona, pasi mundën në finale 3-2 Gjermaninë Perëndimore. Në “Itali 1990” përsëritet finalja, por këtë herë “pancerat” hakmerren. Në SHBA ndalen në 1/8-at nga Rumania, ndërsa më 1998-n eliminohen nga Holanda në çerekfinale. Më 2002-in ngelin në grup, ndërsa në dy Botërorët e fundit ndalen në çerekfinale nga Gjermania, me penallti dhe me një 4-0.

ARRITJET E ARGJENTINËS
PJESËMARRJET NË BOTËRORË
15 (1930-1934, 1958-1966, 1974-2010)
POZICIONIMET MË TË MIRA
Kampione Bote (1978, 1986)
Finaliste (1930, 1990)
BILANCI
70 ndeshje, 37 fitore, 13 barazime, 20 humbje 123 gola të shënuar, 80 gola të pësuar
SHËNUESIT MË TË MIRË NË KUPËN E BOTËS
Batistuta (10 gola), Maradona, Stabile (8 gola)
Lojtarët me më shumë prezenca në Kupën e Botës
Maradona (21 ndeshje), Kempes (18 ndeshje), Ruxheri (16 ndeshje)
TRAJNERËT ME MË SHUMË PREZENCA NË KUPËN E BOTËS
Bilardo (14 ndeshje), Menoti (12 ndeshje), Lorenco (7 ndeshje)
SI ËSHTË KUALIFIKUAR SIVJET
U renditën në vend të parë në grupin amerikano-latin, duke grumbulluar 32 pikë në 16 ndeshje.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"