Mesfushori vendos në dilemë Duron, Kukësi ndaj Vllaznisë pritet me një sulm… “atomik”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2019 | 21:48

Mesfushori vendos në dilemë Duron, Kukësi ndaj Vllaznisë pritet me një sulm… “atomik”

Humbja në Durrës ka djegur jo pak te Kukësi, paçka se erdhi pas një penalltie shumë të dyshimtë dhe të kontestuar nga trajneri Shpëtim Duro.

Kukesi goli

Duke parë ndeshjen e fundit në kampionat, trajneri Duro po shikon të gjitha alternativat për titullarët që do të hedhë në fushë nesër ndaj Vllaznisë, një ndeshje që do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena” në orën 17:00.

Nuk do të ketë më lojtarë të paprekshëm, pasi kush e meriton dhe do të gëzojë formën më të mirë, do të luajë. Kjo u është bërë e ditur edhe futbollistëve. Në prag të sfidës me shkodranët, Duro ka dilema veçanërisht për mesfushën dhe sulmin. Me mungesën e Edis Maliqit për shkak kartonësh dhe rikthimin e Valon Ethemit, pritet që diçka të ndryshojë në ekip. Dilema është nëse Ethemi do luajë nga minuta e parë apo jo.

Nëse 22-vjeçari preferohet titullar, atëherë pritet të sakrifikohet Kristal Abazaj. Ethemi e ka kaluar plotësisht dëmtimin dhe është gati për ta nisur si titullar, por dyshimet mbi të vijnë nga stafi. Duro nuk do që të nxitohet, paçka se mesfushori prej ditësh po stërvitet me grupin. Megjithatë, sot në seancën e fundit pritet të vendoset gjithçka. Sa u përket pozicioneve të tjera, sërish ka një balotazh për portën mes Xhikës dhe Avdylit, por gjasat janë që ky i fundit të rikthehet në formacion.

Kitanovski do të luajë si mbrojtës i djathtë në vend të Maliqit, ndërsa Teqja e Obanor në qendër. Në krahun e majtë do të rikthehet si titullar Kotobelli. Mesfusha pritet të jetë me kapitenin Musolli dhe Limajn, ndërsa përpara tyre do të vendoset Rroca në rolin e fantazistit. Treshja e sulmit, gjithnjë nëse nuk rikthehet nga minuta e parë zëvendëskapiteni Ethemi, do të vazhdojë me Abazajn e Gavazajn nga krahët dhe kryegolashënuesin Shkurtaj në majë.

111

Kushti – Drejtuesit kërkojnë fitore me çdo kusht ndaj Vllaznisë, sepse më pas i pret një transfertë në Korçë, e për ta mbyllur me Luftëtarin fazën e parë. Tashmë trajneri Duro po punon që të korrigjojë ato çfarë nuk shkuan mirë ndaj Teutës, ndaj dhe ka kërkuar nga skuadra përqendrim maksimal.

Nuk do tolerohen më gabime, pasi ekipi ka vuajtur mungesën e përqendrimit dhe presionin artificial në një farë mënyre. Trajneri Duro i ka kërkuar skuadrës që të jenë të vetëdijshëm për çdo ndeshje. Ai do qetësi dhe maturi, pasi nëse ekipi i ka këto, thyen këdo. Të gjithë drejtuesit kanë besim në forcën e ekipit dhe çdo gjë pritet të jetë tashmë çështje menaxhimi situatash. Reagimi i skuadrës duhet të shoqërohet me një fitore bindëse nesër.

S.Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"