Mesfushori Vecaj: Teuta do bëjë gjëra të mëdha, më frymëzon… Shkëmbi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 3, 2019 | 17:22

Mesfushori Vecaj: Teuta do bëjë gjëra të mëdha, më frymëzon… Shkëmbi

Uendi Vecaj është një nga protagonistët e fitores ndaj Luftëtarit. Një nga tre golat mban firmën e mesfushorit.  Goli i Uendi Vecajt

Ai shfaqet i lumtur që gjeti rrjetën, ndërsa në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” evidenton se ekipi është bërë më agresiv dhe është gati për të bërë gjëra të mëdha.

“Jemi një skuadër e kompletuar dhe me objektiva të qartë. Pas rezultateve pozitive të tri javëve të para, ekipi shihet me një tjetër sy nga rivalët. Vlerësimi i tyre vjen në rritje për ne. Tani ka filluar realisht kampionati. Ndaj, të gjitha takimet duhen vlerësuar maksimalisht. Fitorja në shtëpi me Luftëtarin na dha shpresë për cilësinë e lojës dhe agresivitetin që kërkojmë. Këto na japin siguri, që ekipi po funksionon. Jemi një skuadër që luan në bllok, në grup, dhe i disiplinuar nga ana taktike. Them se kritikat dalin jashtë loje, pasi gjithçka ecën në funksion të detyrave të përcaktuara nga trajneri”, u shpreh 22-vjeçari.

vecaj teuta

VLLAZNIA – Pas pauzës, Teuta do të ketë përballë Vllazninë. Një ndeshje speciale, por që shkodrani do ta fitojë. “Është një ndeshje shumë e rëndësishme ajo me shkodranët. I gjithë ekipi e ka të qartë që duhet fituar. Ne mund t’ia dalim dhe këtë e kemi vërtetuar me lojërat e mira që kemi bërë deri tani. Kemi besim te forca jonë dhe vlerat që mbartim. Si rrjedhojë, rezultati që të gjithë presin do të vijë. Duhet t’ia dalim edhe për tifozët. A do të doja të shënoja? Patjetër, dëshira nuk më mungon, edhe pse do të më vinte keq për Vllazninë. Unë luaj për Teutën dhe do të bëj më të mirën time për këtë skuadër”, theksoi ai.

teuta

RRITJA – Skuadra ka vend për përmirësim, e megjithatë mesfushori mendon se janë më të fortë nga vjet. “Ekipi i ka mundësitë që nga ndeshja në ndeshje të rrisë performancën. Do të bëjmë gjëra të mëdha. Teuta dhe këta djem kanë shumë për të treguar. Në këtë moment është e vështirë të thuhet se do të rivalizojmë për titull. Llogaritë do t’i bëjmë në fund të sezonit. Ne po bëjmë punën tonë, duke i marrë ndeshjet një e nga një. Shpresojmë që kjo lojë të na shpërblehet në vijim të kampionatit”, u shpreh ai.

PLANI – Është më se i lumtur që mbeti pjesë e durrsakëve, ndërsa nuk e mohon dëshirën që ka për të shënuar dhe fituar trofe. “Luaj sezonin tim të dytë në elitën e futbollit shqiptar. Ndryshe nga vjet, që e kisha pak të vështirë, jam ambientuar falë ndihmës dhe përkrahjes nga drejtuesit dhe trajnerit Shkëmbi. Ai ka qenë një futbollist i madh dhe më frymëzon shumë. Jam i lumtur që kam gjetur një ambient të tillë. Tashmë mendoj se është koha që të provojmë edhe trofe në Superiore. A do të shënoj më shumë? Për momentin nuk mund të them asgjë. Do të ishte një premtim pa bazë. Dua të jap maksimumin me këtë ekip dhe të bëj më të mirën time. Sa më shumë gola, aq më mirë. E rëndësishme është që të fitojë ekipi. Këto javë të para skuadra, si Teuta, Partizani, Tirana dhe Kukësi janë pak më mirë se skuadrat e tjera, por mendoj se të gjithë të tjerët do të luftojnë me njëri-tjetrin. Siç e shihni, shumë ndeshje përfundojnë në barazim. Është fillimi i kampionatit dhe duhet të kërkohet ende për formën më të mirë, por 3-4 skuadra do të luftojnë së bashku”, përfundoi Vecaj.

Zamir Qypi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"