Mesfushori shkodran analizon Besën, Tafili: Pushimi s’na ndihmon, ekipi ka ndryshuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2020 | 19:19

Mesfushori shkodran analizon Besën, Tafili: Pushimi s’na ndihmon, ekipi ka ndryshuar

Pushimi i detyruar 10-ditor nuk shkon në favor të Besës. Kështu mendon edhe shkodrani i kavajasve, Alsid Tafili. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport” ai shpreson që kjo ndalesë të mos u ndalë hovin.

TAFILI

“Do të ishte mirë të vijonim ndeshjet, pasi gëzojmë një gjendje optimale. Këtë e treguam në 3 fitoret që morëm rresht. Për të mos humbur ritmin, tani do të punojmë me dy seanca stërvitore në ditë. Kemi gjithçka i duhet një ekipi që synon suksesin. Kemi lojtarë që me përvojën e tyre udhëheqin grupin, por edhe 19-vjeçarë që luajnë gjithë besim krah nesh. Nuk na mungon besimi në grup, kemi harmoninë që duhet për të arritur te suksesi si dhe stafin me në krye Mërgjyshin, që ka provuar suksesin dhe sfidën e ringjitjes së një ekipi në Superiore.

Pra, i kemi të gjitha mundësitë, kapacitetet që me plot të drejtë të synojmë Superioren”, thotë fillimisht 33-vjeçari. Ai analizon lojën e grupit dhe rritjen nga ndeshja në ndeshje. “Për Besën është thënë gjithmonë se nuk e përballon lojën e fortë të kundërshtarëve, pasi beson vetëm te futbolli teknik. Po ky grup është krejt ndryshe dhe i aftë t’i përgjigjet kujtdo me monedhën që kërkon. Gjaku i ri që kemi në ekip, shpesh na detyron t’i këshillojmë dhe qetësojmë gjatë lojës, kur u shkaktohen ndërhyrje të ashpra pa shkak. Por, çdo gjë vjen me përvojën.

Konstatoj me kënaqësi se takim pas takimi loja në grup është konsoliduar. Tashmë e njohim njëri-tjetrit dhe kjo e bën më të lehtë zbatimin e detyrave taktike që na jep trajneri. Mjafton t’i referoheni mënyrës se si kemi realizuar golat apo me sa lehtësi zbresim në portat kundërshtare. Sigurisht që, si çdo ekip, edhe ne kemi momente loje ku duhet të korrigjohemi dhe përmirësohemi. Fitoret njëra pas tjetrës natyrshëm që sjellin më shumë besim e entuziazëm në ekip. Ne me qetësi, bindje e besim te fitorja po presim edhe ballafaqimin me Egnatian”, përfundoi Tafili.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"