Mesfushori realizon një ëndërr në Shijak, flet kapiteni Troplini: Erzenin nuk e lë as në kategori të katërt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 19, 2022 | 18:12

Mesfushori realizon një ëndërr në Shijak, flet kapiteni Troplini: Erzenin nuk e lë as në kategori të katërt

Erzeni u rikthye në elitën e futbollit shqiptar pas 19 vitesh dhe një prej lojtarëve që ka meritë të padiskutueshme është pikërisht Rejnaldo Troplini. Mesfushori 27-vjeçar luan prej 9 vitesh me skuadrën e zemrës dhe ëndrra e tij ishte që të ngjitej në Superiore si kapiten i Erzenit. Ai ka refuzuar të luante më herët në elitë, në një kohë që ofertat nuk i kanë munguar. Në një intervistë për “Panorama Sport”, vetë Troplini flet për suksesin e sezonit të fundit dhe të ardhmen.

76756

 

Rejnaldo, jeni pjesë e Erzenit prej nëntë vitesh dhe gjithashtu mbani në fanellë numrin nëntë. Mos vallë numri 9 është me fat edhe për klubin, pasi u deshën 19 vite të rikthehej në elitë?

Erzeni ka pasur mundësinë edhe me herët për t’u ngjitur, por jemi dorëzuar në fund, pasi ndoshta nuk kemi besuar sa duhet. Këtë herë ishte ndryshe, sepse që në fillim u projektuam për të arritur këtu ku jemi sot.

Sa ndikuan te ju si lojtarë problemet mes bashkisë dhe shoqatës?

Normalisht kur janë dy palë ka mosmarrëveshje dhe burokraci që sjellin edhe këto keqkuptime. Tani gjithçka besoj është zgjidhur dhe jemi gati për sezonin e ri.

Kishit disa muaj pa u paguar, por ju dhe lojtarët e tjerë nuk dolët publikisht të kërkonit djersën tuaj…

Unë personalisht nuk kam qenë kurrë tek Erzeni për rrogën. Këtu jam si shijakas, si tifoz dhe si një njeri që e dua Erzenin. Isha i vendosur që edhe nëse zbresim në kategori të katërt, të vazhdoja po këtu.

Si e prisni ju skuadrën për sezonin e ri?

Pres një grup kompakt, një ekip që luan bashkë dhe jep maksimumin.

Duke qenë se jeni vonë në merkato dhe përgatitje, mendoni se kjo do t’ju penalizojë?

Vonë jemi, por edhe në vend nuk kemi qëndruar. Klubi ka biseduar me disa lojtarë, ndërsa ne që jemi pjesë e ekipit, jemi stërvitur individualisht këtë periudhë për të mos qenë mbrapa.

A ka Erzeni objektiva në sezonin e ri në elitë?

Objektivi parësor është të ndërtojmë skuadrën. Pastaj, çdo ndeshje do të jetë objektivi ynë. Nuk do të nisemi me synime të mëdha, por nëse jemi grup do të arrijmë më shumë nga çfarë pritet.

Në vitet e kaluara keni qenë shpesh dëshirë e disa skuadrave të Superiores për t’iu afruar. Pse nuk keni pranuar?

Ka qenë një moment që nuk ishte i lehtë, sepse kishim ecuri pozitive në kampionat. Edhe në aspektin personal isha mirë. Pavarësisht se ofertat nga ekipet në Superligë ishin tunduese, bëra një premtim që nuk do të largohem deri kur të dal në elitë me Erzenin. Këtë ëndërr e bëra realitet. Ia dedikoj këtë sukses babait tim, i cili ishte mbështetësi kryesor që edhe në ditën e fundit u interesua për skuadrën. Ai e donte shumë sportin dhe Erzenin. Ka qenë mbështetësi im kryesor dhe këtë sukses ia dedikoj atij.

Do të jeni kapiten i Erzenit në Superiore, si e mendoni debutimin tuaj?

Çdo sekondë do të jem i gatshëm për skuadrën. Do të stërvitem fort, të jap maksimumin dhe bashkë me shokët dua që të jemi sa më lart në renditje.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"