Mesfushori “largohet” nga Vllaznia, askush nuk garanton… rikthimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2019 | 8:58

Mesfushori “largohet” nga Vllaznia, askush nuk garanton… rikthimin

Hygor Guimaraes Goncalves tani është kthyer në një çështje te Vllaznia. Mesfushori brazilian i Vllaznisë, ashtu siç edhe kishin deklaruar drejtuesit e klubit, do të largohet drejt vendit të tij. Problemet shëndetësore të së ëmës dhe të gruas së tij kanë bërë që braziliani të kërkojë leje për t’u larguar, që t’u qëndrojë afër familjarëve të tij.

hygor vllaznia

Mesfushori me tipare sulmuese e ka treguar se është një nga pikat më nevralgjike dhe një nga lojtarët më të vlefshëm të kuqebluve. Madje, një gjë të tillë ai e tregoi edhe në takimin ndaj Tiranës, pavarësisht se jo në gjendjen më të mirë të tij fizike për shkak të dëmtimit, që ende nuk i ka kaluar plotësisht. Madje, në një moment ishte shumë pranë kalimit në avantazh të ekipit të Vllaznisë.

Por siç edhe ishte thënë, pas kësaj ndeshjeje ai është larguar drejt Brazilit. Braziliani ka marrë leje në klub për arsyet që tanimë janë bërë të ditura. Leja që i është dhënë atij ka qenë me shpresën për t’u kthyer shpejt, por në fakt askush nuk e di se kur. Stafi teknik, me në krye teknikun Jonuz, por edhe administratori Lici shpresojnë se gjithçka me shëndetin e nënës së tij do të shkojë mirë dhe brenda pak ditësh braziliani të kthehet në Shkodër, për të qenë pse jo i gatshëm që në ndeshjen e radhës, atë ndaj Teutës.

vllaznia hygor

“Ai ka problemet e veta familjare. Ne i kemi dhënë leje që të jetë afër nënës së tij dhe unë do të besoj se çdo gjë do t’i shkojë mirë. Hygor ka dëshirë që të luajë te Vllaznia. Braziliani do të kthehet dhe është një pikë e fortë për ekipin tonë dhe do të na duhet”, janë shprehur në një gojë si trajneri Jonuz, ashtu edhe administratori Lici. Vetë lojtari mësohet se është shprehur me shokët e skuadrës që shumë shpejt do të jetë në Shkodër për t’iu bashkuar ekipit dhe për të vijuar rrugëtimin e nisur me Vllazninë. Ndërkohë ka edhe frikë se ai nuk do të kthehet më dhe kjo pa dyshim që i shqetëson shkodranët dhe stafin teknik, por edhe tifozët kuqeblu.

Admir Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"