Mesfushori i Vllaznisë karikon shkodranët: Gati të mundim Partizanin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2019 | 17:23

Mesfushori i Vllaznisë karikon shkodranët: Gati të mundim Partizanin!

Ardit Krymi ka disa vite që është një nga lojtarët më potentë dhe nga më të rëndësishmit e skuadrës shkodrane në këto vitet e fundit. Mesfushori shkatërrues ka qenë gjithnjë i gatshëm për kuqeblutë edhe në momentet kur skuadra ra në një kategori më poshtë.

ardit krymi

Por ky sezon, deri në këto momente, duket se është më i miri për Vllazninë. Në një intervistë të tij për “Panorama Sport”, ai është shprehur për besimin që ka në skuadër dhe për më tepër për punën që po bëhet nga drejtuesit për të shkuar drejt suksesit. Ai është i bindur se në përballjen me Partizanin skuadra do të kërkojë vetëm një rezultat, që është fitorja.

Një situatë optimiste pas shtatë javëve të para, si po e përjeton skuadra?

Mund të them se është një gjendje shumë e mirë në skuadër. Ka optimizëm dhe për më tepër është shumë gjë e bukur kur stërvitesh në një atmosferë të tillë. Mendoj se jemi në një rrugë të mbarë, por dua të them se duhet që të mos “fluturojmë”, por të shikojmë vetëm te takimi i radhës. Diferencat janë kaq të vogla, sa me një takim të fituar mund të jesh në krye, me një takim të humbur mund të shkosh për mbijetesë. Prandaj, ne duhet të tregohemi të kujdesshëm në këtë drejtim.

Ju keni kohë që jeni pjesë e këtij ekipi, por në këtë start diçka duket ndryshe. Çfarë ka ndryshuar sipas jush?

Në radhë të parë, atmosfera është shumë pozitive. Së dyti, do të thosha se po punojmë shumë dhe për këtë ka një meritë të padiskutueshme tekniku ynë. Ai deri tani duhet thënë se ka marrë më shumë nga sa ne kemi forcë. Ka arritur të fusë frymën e grupit dhe me të vërtetë, se vetëm pak emra kanë ndryshuar nga vjet, apo parvjet, por kësaj here ndihemi grup. Fitojmë të gjithë e po ashtu humbim të gjithë.

ardit krymi

Javën e ardhshme keni përballë Partizanin, si e shikoni këtë takim?

Përballë kemi kampionët e vendit. Një skuadër shumë e fortë. Do të kërkojmë edhe ndaj Partizanit që të marrim maksimumin dhe të vazhdojmë kështu siç jemi. Nuk ka asnjë objektiv tjetër për ne në këtë takim veç të futemi për fitore. Pastaj, ndaj një kundërshtari të tillë të pranishëm, mund të jenë të tria rezultatet. Ne duhet të kërkojmë vetëm fitoren, për më tepër për të kënaqur edhe tifozërinë tonë, që do të jetë e shumtë në numër në këtë takim.

Keni pasur një dëmtim, si duket tani gjendja e Krymit?

Them se e kam kaluar dëmtimin që pata. Po stërvitem rregullisht së bashku me ekipin dhe besoj se do të jem shumë mirë.

Jeni kthyer në një titullar të padiskutueshëm prej disa sezonesh te Vllaznia, madje duke qenë një nga të paktët lojtarë besnikë të saj. Po mendon Krymi një largim nga kjo skuadër?

Mua më mbaron kontrata në verën e vitit të ardhshëm. Pra, deri në maj jam pjesë e Vllaznisë. Nuk kam ende asnjë objektiv apo nuk kam vendosur se çfarë duhet të bëj. Është shumë herët për të folur dhe për të diskutuar për të tilla gjëra. Shpresoj që së bashku me gjithë ekipin të bëjmë në këtë sezon më të mirën. E mira e përbashkët është edhe e mira çdo njërit në aspektin personal.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"