Mesfushori i Tiranës në “orbitën” e Luganos, edhe nga talenti i ri projektohet të shitet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 21, 2018 | 20:15

Mesfushori i Tiranës në “orbitën” e Luganos, edhe nga talenti i ri projektohet të shitet

“Sirena” zvicerane për Asion Dajën. Mesfushori është duke negociuar për një largim drejt Zvicrës dhe pista më e mundshme është Lugano. Lojtarit i ka skaduar kontrata, ndaj nëse tratativat mbyllen me sukses, ai do të ikte me parametra zero. Por, nëse ky transferim nuk mbyllet me sukses, atëherë pritet që të rinovojë me Tiranën. Kujtojmë që 28-vjeçari është ndër të paktët futbollistë që janë të lirë te Tirana, bashkë me Dorian Kërçikun.

Pasi “blinduan” Erion Hoxhallarin dhe Majkëll Ngoonë, klubi kryeqytetas ka menduar që t’u zgjasë marrëveshjet edhe dy të tjerëve. Ata preferohen jo vetëm nga drejtuesit, por edhe prej stafit teknik. Në momentin që Ze Maria firmosi, vendosi “veton” për mesfushorin dhe mbrojtësin. Zyrtarisht, ata janë në planet e Tiranës, megjithatë e vetmja gjë që pritet është biseda finale. Në parim ekziston dakordësia për të firmosur, por që të shkohet te rikonfirmimi i tyre, duhet të diskutohen edhe disa kushte të kontratës.

Tirana-490x327

MUÇI – Tirana po mendon jo vetëm për “blindimin” e organikës dhe afrimet e reja, por edhe për shitjet. Strategjia e shitjeve përfshin jo vetëm Hoxhallarin dhe Dokën, prej të cilëve pretendohet që të përfitohet afro 450 mijë euro, por edhe një tjetër talent. Ernest Muçi u është ofruar disa skuadrave në Zvicër dhe Belgjikë, ndaj nuk përjashtohet mundësia e një largimi. Nëse nuk realizohet që këtë verë, atëherë merkatoja e dimrit mund të përmbyllë me sukses planin. Sulmuesi 17- vjeçar debutoi në inferiore me bardheblutë. Ai u aktivizua në 11 ndeshje dhe paraqitjet e tij ishin realisht të kënaqshme, ndërsa tregoi aftësi edhe para portës, duke shënuar 3 gola.

AFRIMET – Klubi pret Dejan Blazhevskin dhe Bruno Ditën. Me të parin ka akord në parim, ndërsa i dyti është i varur prej kontratës që ka me Skënderbeun. Njëherësh, drejtuesit po operojnë në tregun afrikan, konkretisht në Nigeri për një qendërmbrojtës dhe një fantazist. Bisedimet kanë ecur mirë, megjithatë ende nuk mund të flitet për firmë.

A. Merko

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"